Pse u akuzua Elisabeta Mataj për 'zhdukjen' e 69 milionë lekëve?
Prokuroria akuzojnë Matajn për mandatpagesa të dyshuara të falsifikuara dhe përvetësimin e shumës
Të tjera detaje kanë dalë nga drita nga seanca e sotme në Gjykatën e Durrësit, në ngarkim të 3 punonjëseve të postës, që akuzohen për "zhdukjen" e 69 milionë lekëve në filialin e Postës Shqiptare. Seanca u shoqërua me akuza të forta nga prokuroria dhe kundërshtime të forta nga mbrojtja e ish-drejtoreshës Elisabeta Mataj, e cila është gjithashtu anëtare e Këshillit Bashkiak dhe anëtare e Këshillit Drejtues të Autoritetit Portual Durrës.
Sipas organit të akuzës, lëvizja e vlerave monetare është kryer në kundërshtim me rregulloren, pa shoqërimin e detyrueshëm të sigurisë fizike, ndërsa në muajt prill dhe maj janë kryer veprime kontabël që nxorën nga arka qendrore rreth 69 milionë lekë, pa u regjistruar si hyrje në degët e Shijakut dhe Krujës.
Prokuroria foli edhe për mandatpagesa të dyshuara të falsifikuara dhe e akuzoi drejtpërdrejt Matajn për përvetësimin e shumës, që u kundërshtua nga ajo dhe mbrojtja. Një tjetër element i paraqitur nga prokurori ishte frekuentimi i kazinove nga ish-drejtoresha dhe bashkëshorti i saj. Sipas akuzës, Mataj rezulton të ketë hyrë 335 herë në kazino në Tiranë, si dhe 27 herë, ose një ditë po, një ditë jo, gjatë periudhës prill-maj kur mungojnë 69 milionë lekët, ndërsa bashkëshorti i saj ka 340 hyrje gjatë muajve të fundit.
Me vendim të prokurorit janë siguruar pamjet filmike të hyrje-daljeve nga dy kazinotë kryesore në Tiranë të çiftit Mataj, ndërsa mbrojtja e konsideroi cenim të jetës private. Pas seancës gjyqësore, Feta Mataj, bashkëshorti i Elisabetës, tha se ka 8 vjet që frekuentojnë kazinotë dhe nuk ka lidhje ky frekuentim me çështjen e postës.
Mbrojtja e Matajt kërkoi bashkimin e procedimeve penale dhe administrimin e të gjitha pamjeve filmike, duke pretenduar se një pjesë e provave të Mataj nuk janë përfshirë në dosjen e akuzës. Avokatja Gerta Gorjani kërkoi një masë më të butë sigurie, duke theksuar se Mataj është nënë e 6 fëmijëve dhe se nuk ekziston rreziku i largimit.
Ajo kundërshtoi edhe pretendimin e prokurorisë se klientja ishte larguar nga Shqipëria nga Kapshtica më 10 korrik për t'iu shmangur drejtësisë, duke sqaruar se hyrja e saj në vend ishte kryer nga pika kufitare e Morinës. Në mbrojtje u sollën edhe dokumente që, sipas avokatëve, tregojnë se vetë Mataj kishte sinjalizuar prej muajsh, duke nisur që nga marsi, shkelje në sektorin e financës.
Ish-shefja e financës Valbona Duni deklaroi se paratë janë marrë nga zyra e saj nga drejtoresha dhe nuk janë kthyer më, ndërsa arkëtarja Paola Dana u shpreh se nuk ka përfituar asnjë shumë dhe se në Postë "Pa urdhrin e drejtoreshës nuk lëviz as miza. E dinë të gjithë".
Gjykata vendosi "arrest në burg" për Matajn, ndërsa për shefen e financës Valbona Duni dhe arkëtaren Paola Dana caktoi masën "arrest në shtëpi". Për këtë çështje janë regjistruar tre kallëzime penale që priten të bashkohen në një procedim të vetëm nga prokuroria.
Burim: Shekulli
— Redaksia ZHURMA




Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr për me e thanë mendimin.