Dëshmitarët në gjyqin e oficerëve për rastin “Pulse” flmojnë për praninë e policisë
Dëshmitarët e mbrojtjes në gjyqin ndaj 13 zyrtarëve policorë dëshmuan për veprimet e policisë para dhe pas zjarrit në diskotekë.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Në seancën gjyqësore ndaj 13 oficerëve të policisë, të akuzuar për mosrespektimin e planit të veprimit në diskotekën “Pulse”, dëshmitarët e propozuar nga mbrojtja kanë dëshmuar rreth pranisë dhe angazhimit të policisë para dhe pas shpërthimit të zjarrit në këtë lokal.
Njëri nga dëshmitarët, i cili ishte i mitur në kohën e incidentit, tregoi se kishte mbërritur në diskotekë rreth orës 1:15 të mëngjesit dhe se ishte larguar pasi kishte marrë njoftim për praninë e forcave policore jashtë. «Kamerieri erdhi dhe na tha se kishte policë jashtë», deklaroi ai, duke shtuar se u ndalua te hyrja nga një zyrtar policor i cili u mori të dhënat personale. Sipas dëshmisë së tij, në atë moment u dha alarmi për zjarr: «Dikush nga brenda bërtiti se kishte rënë zjarr dhe oficeri i policisë na tha të largoheshim me vrap nga vendi». Ai konfirmoi në sallën e gjyqit se zyrtari që i kishte identifikuar ishte i akuzuari Marjan Radevski.
Një dëshmitar i dytë, i cili kishte mbërritur te diskoteka rreth orës dy të mëngjesit pas një qëndrimi në kafenenë «Bulevar», rrëfeu se kishte parë persona të lënduar të shtrirë në tokë para hyrjes. Ai deklaroi se kishte ndihmuar forcat e rendit në evakuimin dhe pastrimin e zonës. «Marjani na kërkoi të lironim hyrjen nga shkallët», u shpreh ai, duke shtuar se kishte marrë pjesë në zhvendosjen e të lënduarve mënjanë për të liruar hapësirën. Dëshmitarët e tjerë shtuan gjithashtu se oficerët kishin dhënë udhëzime edhe për mënyrën se ku duhet të transportoheshin të mbijetuarit.