Agim Islami me shëndet të rënduar prapa grilave, Dauti kërkon trajtim serioz
Ramiz Dauti kërkon trajtim mjekësor për Agim Islamin, i dënuar në rastin “Alfa”, duke u frikësuar nga një fat i ngjashëm me Rexhail Qerimin.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Gati 19 vite i burgosur për rastin «Alfa», Ag po vuan nga disa sëmundje, ndërsa gjendja e tij shëndetësore është rënduar ditëve të fundit prapa grilave. Bashkëvuajtësi i tij dikur, Ramiz Dauti, ka ngritur shqetësimin duke kërkuar masa që të mos i ndodhë e njëjta gjë si Rexhail Qerimit, i cili ndërroi jetë në qeli.
«Nesër është kontrolli i radhës së Agimit në spitalin e shtetit, dhe ishte gjithashtu për kontroll, pas 20 viteve që i vuan nga sëmundjet që ju kanë paraqit në burg dhe mendoj që duhet të trajtohet më seriozisht çështja e Agimit, gjendja e tij shëndetësore», tha Ramiz Dauti, duke shtuar se kushtet në burg janë katastrofë.
Mbrojtja ndër vite ka kundërshtuar vendimet dhe ka kërkuar përsëritjen e gjykimit, duke paraqitur një ekspertizë të video-incizimit të ngjarjes të përgatitur në Serbi. Gjykata Penale e Shkupit në dhjetor të vitit 2024 e refuzoi kërkesën e Islamit, kurse në prill të vitit 2025 Gjykata e Apelit refuzoi ankesën.
Sipas Dautit, ekspertiza nuk u pranua pasi mungonte një ekspert për ta verifikuar atë. «Maqedonia si shtet në vitin 2026 nuk ka një ekspert, i cili mund të vendos për besueshmërinë dhe vërtetësinë e ekspertizës», deklaroi ndër të tjera Dauti.
Rasti «Alfa» lidhet me vrasjen e pjesëtarit të njësitit policor, Afrim Arifi, më 26 nëntor 2008, pranë Fakultetit Matematiko-Natyror në Shkup. Agim Islami dhe Rexhail Qerimi u dënuan me burgim të përjetshëm, Ramadan Shaqiri me gjashtë vjet burg, kurse Almir Dërplani u dënua gjithashtu me burgim të përjetshëm në mungesë. Rexhail Qerimi ndërroi jetë në burgun e Idrizovës më 27 janar 2022.