EFE: Studentët në Shqipëri protestojnë kundër qeverisë
Agjencia spanjolle EFE i kushton vëmendje protestave studentore në Shqipëri, duke raportuar për përplasjet me policinë dhe kërkesat e ngritura.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Zhvillimet e fundit në Shqipëri janë vënë në fokus të agjencisë spanjolle të lajmeve EFE, e cila ka pasqyruar valën e protestave studentore kundër autoriteteve. Sipas raportimit, vendi ka shënuar katër ditë radhazi të tubimeve, të cilat janë shoqëruar me pakënaqësi ndaj kushteve ekonomike dhe akuzave për korrupsion ndaj qeverisë. Protestuesit kanë kërkuar largimin e kryeministrit, ndërsa nga ana e tij kreu i ekzekutivit ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes dhe u ka bërë thirrje qytetarëve për durim, duke e lidhur situatën me përpjekjet e opozitës për të penguar integrimin evropian.
Gjatë zhvillimit të tubimeve, situata është tensionuar pasditeve dhe mbrëmjeve pranë Ministrisë së Arsimit dhe Kryeministrisë, pavarësisht një dakordësie paraprake mes palëve për marshime paqësore. Forcat e rendit janë përgjigjur me gaz lotsjellës dhe autobotë uji ndaj hedhjes së gurëve nga ana e protestuesve. Përtej Tiranës, lëvizja është shtrirë edhe në qytete të tjera si Shkodra, Lezha, Elbasani, Kurbini, Rrësheni dhe Fushë-Arrëzi. Ndërkohë, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ftuar mbështetësit të bashkohen në protestë, ndërsa agjencia ka kujtuar se ai ndodhet nën hetim për korrupsion dhe ka drejtuar më parë vendin.