Gazeta popullore shqiptare Abonohu falas →
Ne bëjmë zhurmë 📣
E Hënë · 27 Korrik 2026 ● Lajmi i fundit
Lajm

Drejtori i KRU 'Mitrovica' paralajmëron se nga 1 tetori pritet të fillojë faturimi i ujit

115 pozita të hapura kanë marrë mbi 900 aplikime; procesi i shtrirjes së shërbimeve në katër komunat veriore po zhvillohet sipas planit

Redaksia ZHURMA Përditësuar 02:25 + Ruaj
Drejtori i KRU 'Mitrovica' paralajmëron se nga 1 tetori pritet të fillojë faturimi i ujit
FOTO · Foto: MilosSavcic / Wikimedia Commons

PRISHTINË — Drejtori i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit 'Mitrovica', Bashkim Kurti, ka bërë të ditur se procesi i shtrirjes së shërbimeve në katër komunat veriore po zhvillohet sipas planit, ndërsa ka njoftuar për interesim të madh të profesionistëve për t`u bërë pjesë e kompanisë.

Në një intervistë për RTK-në, Kurti tha se për 115 pozitat e hapura janë regjistruar mbi 900 aplikime. 'Fatmirësisht, thirrjes sonë, shpalljes së konkurseve dhe videomesazheve të kompanisë, por edhe të kryeministrit që ftoi profesionistët të aplikojnë, iu përgjigj një numër i madh i profesionistëve të fushës.

Kurti vlerësoi punën e stafit të kompanisë dhe mbështetjen e institucioneve vendore e ndërkombëtare në realizimin e këtij procesi. 'Ka qenë një punë e jashtëzakonshme e stafit tonë dhe e një ekipi të shkëlqyeshëm në kompani. Mbështetje kemi pasur edhe nga Ministria e Ekonomisë, GIZ-i gjerman dhe Zyra e Bashkimit Evropian, dhe po e mbyllim këtë proces në mënyrën më të mirë të mundshme', u shpreh ai.

Kurti theksoi se KRU 'Mitrovica' ka përmirësuar ndjeshëm kushtet e punës për punonjësit, duke rritur pagat dhe përfitimet. 'Kushtet e punës në kompani janë mbi mesataren e Kosovës. Kemi rritur të hyrat e stafit për rreth 53 për qind, kemi rritur shujtën dhe kemi siguruar sigurim shëndetësor. Stafi është shumë i kënaqur. Me 115 punonjësit e rinj tashmë jemi një ekip prej rreth 380 punonjësish', deklaroi ai.

Drejtori bëri të ditur se ka nisur edhe vendosja e ujëmatësve në Mitrovicën e Veriut dhe Zveçan, ndërsa institucionet në këto komuna tashmë kanë pranuar faturat e para. 'Faturat e para për institucionet në këto dy komuna i kemi dërguar në muajin maj dhe presim pagesat e para zyrtare. Më pas do të vazhdojmë me bizneset në të katër komunat veriore dhe faza e tretë do të jetë për amvisëritë', tha Kurti.

Sipas tij, procesi i furnizimit me ujëmatës për pjesën veriore tashmë ka hyrë në fazën përfundimtare. 'Me ndihmën e Ministrisë së Ekonomisë kemi përmbyllur procesin e tenderimit për blerjen e ujëmatësve. Nëse gjithçka shkon sipas planit, nga 1 gushti do të fillojë vendosja e tyre edhe nëpër amvisëri. Ndërsa nga 1 tetori do të fillojë arkëtimi i pagesave edhe nga bizneset, edhe nga amvisëritë', bëri të ditur ai.

Burim: Lajmi.net, https://lajmi.net/drejtori-i-kru-mitrovica-nga-1-tetori-nis-faturimi-ne-veri/
— Redaksia ZHURMA

Të ngjashme

Kosovë →