Dokumenti i Qeverisë zbulon ngecjet dhe rënien e rritjes ekonomike
Një dokument i Zyrës së Kryeministrit nxjerr në pah ngecje serioze në ekonomi, administratë dhe reformat shtetërore.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Një dokument zyrtar i hartuar nga Zyra për Planifikim Strategjik për vlerësimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2030 ka nxjerrë në pah ngecje serioze në sektorët kryesorë të vendit, duke përfshirë ekonominë, administratën publike, drejtësinë, arsimin dhe shëndetësinë. Siç raportoi Zhurma më 14 nëntor 2026, Zyra e Kryeministrit kishte publikuar më parë vlerësimin për zhvillimin, ndërsa të dhënat e reja tregojnë se shkalla mesatare e përfundimit të aktiviteteve të planifikuara ka lëvizur ndërmjet 25 dhe 50 për qind, duke rënë në disa raste në 18 për qind, ndërsa në rastet më të mira ka arritur rreth 58 për qind.
Sipas dokumentit qeveritar, harmonizimi i planeve strategjike me buxhetin e shtetit ka rënë nga 75 për qind në vetëm 38.5 për qind në vitin 2024. Ndërkohë, rritja reale ekonomike e Kosovës ka rënë nga 4.6 për qind në vitin 2024 në 3.6 për qind në vitin 2025, kurse inflacioni mesatar është rritur nga 1.6 në 3.9 për qind në të njëjtën periudhë dhe ka arritur në 6.7 për qind deri në shtator të vitit 2026. Në fushën e pushtetit lokal, numri i komunave që kanë plotësuar kriteret për Grantin e Performancës Komunale ka rënë nga 14 në vetëm pesë.