Zhurma Press E Diel · 16 Gusht 2026 — Prishtinë · Tiranë · Shkup · Diaspora Treguesi Kërko Ruajtur · 0 Abonohu falas
Lajmi i fundit · 07:34 60+ burime · klasifikim automatik · mbikëqyrje redaksionale
E fundit Edicioni 07:00 · Mëngjesi
ZHURMA
Ekonomi SHQ

Pse dështoi skema e kreditimit për bujqësinë?

Qeveria pranon dështimin e skemës së kreditimit për bujqësinë, por çfarë do të ndodhë tani?

Redaksia ZHURMA 17:11 Përditësuar 07:17 2 min lexim
Pse dështoi skema e kreditimit për bujqësinë?
FOTO · Foto: Wikimedia Commons Arkivi ZHURMA

TIRANË — Qeveria ka pranuar zyrtarisht dështimin e skemës së shumë trumbetuar për kreditimin e bujqësisë. Një ditë më parë, Këshilli i Ministrave ndryshoi vendimin duke e hapur garancinë shtetërore për nxitjen e kreditimit të bujqësisë për të gjitha bizneset e vogla dhe të mesme pavarësisht sektorit ku operojnë.

“Miratimin e linjës së garancisë shtetërore të huas, në vlerën 5 miliardë lekë, për garantimin e huamarrjes së ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, pavarësisht sektorit të veprimtarisë së tyre ekonomike si dhe fermerëve të regjistruar e të pajisur me certifikatën e NIPT-it të fermerit, që ushtrojnë veprimtari në sektorin e bujqësisë,” thuhet në vendimin e qeverisë.

Pavarësisht se qeveria vuri në dispozicion të bankave garanci buxhetore nëse ato kreditonin fermerët si dhe mori përsipër subvencionimin e interesave, sërish kredia për bujqësinë nuk u rrit duke e lënë sektorin të nënfinancuar dhe në një krizë të stërgjatë me rënie për disa vjet rresht.

Skema e kreditimit ishte shpallur nga kryeministri Edi Rama në shkurt të vitit të kaluar si një histori e madhe suksesi për mbështetjen e bujqësisë. Bëhej fjalë për çeljen e një linje financimi me garanci sovrane, ku fermerët do të merrnin kredi me interes 2 për qind nga bankat dhe shteti do të garantonte deri në 70 për qind të principalit.

Sipas planit të lajmëruar nga shefi i qeverisë, linja e kredisë do ishte deri në 250 milionë euro. Vendimi i qeverisë për çeljen e skemës u miratua në korrik. Por fjalët e shefit të qeverisë i mori era shpejt, ashtu siç ndodh shpesh me premtimet bombastike.

Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në harkun kohor të një viti kredia për bujqësinë u rrit me vetëm 7 milionë euro, duke arritur në rreth 70 milionë euro. Ndërsa përrallat me 1 miliardë euro, që kryeministri u tregoi fermerëve gjatë fushatës elektorale, rezultuan kallp.

Përballë këtij dështimi qeveria ka vendosur ta hapë skemën për të gjitha bizneset e vogla dhe të mesme, duke u dhënë të drejtën të marrin kredi ndërmarrjeve nga çdo sektor i ekonomisë.

*Burim: Report Tv, https://report.al/skema-e-kreditimit-nuk-dha-rezultat-qeveria-pranon-deshtimin-ne-bujqesi/*

*— Redaksia ZHURMA*

Komentet
Radio Kosova 1 zhurma.fm