Dërgohet në gjyq juristi i ASHK-së për fshirjen e shënimit kufizues në Selitë
Prokuroria përfundon hetimet ndaj juristit të Kadastrës pas kallëzimit të një kompanie për pasurinë në Tiranë.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 2 min lexim
Prokuroria e Tiranës mbyll hetimet dhe dërgon në gjyq një jurist të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, i dyshuar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Sipas organit të akuzës, juristi Andi Bajrami, i cili shërbente në Drejtorinë Vendore të ASHK-së Vlorë, ka hequr në mënyrë të paligjshme një shënim bllokimi nga kartela e një pasurie me sipërfaqe 3250 metra katrorë në zonën kadastrale 3292 në Selitë. Çështja kishte mbërritur te juristi përmes shortit elektronik, pas një kërkese të drejtuar nga pronarët e tokës.
Kallëzimi penal kishte nisur nga administratorja e një kompanie, e cila kishte lidhur më parë një kontratë sipërmarrjeje për zhvillimin e pronës me pronarët e tokës. Kjo marrëveshje ishte regjistruar zyrtarisht në kadastër përmes një shënimi kufizues që mbronte interesat kontraktore të shoqërisë. Pronarët e tokës kërkuan fshirjen e këtij kufizimi duke pretenduar se kompania nuk e kishte zhvilluar pronën brenda afateve dhe duke paraqitur një njoftim noterial për prishjen e kontratës, pas së cilës lidhën një marrëveshje të re me një tjetër subjekt.
Hetimet e prokurorisë zbuluan se kontrata fillestare përcaktonte një afat trevjeçar për ndërtimin që niste pas pajisjes me leje ndërtimi, kurse pretendimet e pronarëve për moszhvillim nuk krijonin bazë të mjaftueshme për përfundimin automatik të saj. Prokuroria vlerëson se veprimet e zyrtarit dëmtuan të drejtat e shoqërisë së parë dhe mundësuan lidhjen e një kontrate të re për të njëjtën pronë.