Çfarë kërkojnë 13 koordinuesit e protestave në Shqipëri nga ambasadat?
Pse Grupi Koordinues i Protestës i drejtohet ambasadave perëndimore me kërkesa për dorëheqjen e qeverisë dhe reforma kushtetuese?
TIRANË — Në një letër të hapur të dërguar të premten, më 26 qershor 2026, 13 koordinues të protestave qytetare në Shqipëri i janë drejtuar Shkëlqesive të Ambasadorëve dhe Shefave të Misioneve të vendeve perëndimore të akredituar në Tiranë, duke kërkuar ndërhyrje dhe mbështetje për zgjidhjen e krizës politike.
Letra, e nënshkruar nga një grup që përfaqëson "një lëvizje të gjerë dhe paqësore qytetare", shënon 27 ditë radhazi të mobilizimit në sheshet publike në mbarë vendin. Mes 13 firmëtarëve janë Entela Koja, Arben Kola, Megan Balaj, Edviol Kulluri, Luçjana Kokaj, Gentjan Progni, Gjon Ndoj, Etleva Merko, Everest Bardhi, Përparim Gjeka, Mevlan Mata, Ilir Xhemalaj dhe Marjen Rama.
Kërkesa e parë dhe më urgjente është "dorëheqjen e Kryeministrit dhe të Qeverisë aktuale, si një hap thelbësor dhe i panegociueshëm drejt ripërtëritjes demokratike." Protestuesit kërkojnë gjithashtu krijimin e një qeverie kalimtare teknike, jopartiake, me mandat dymbëdhjetëmujor (12 muaj) "për të mbikëqyrur një proces reformash të besueshëm dhe të paanshëm."
Reforma kushtetuese është një tjetër kërkesë qendrore, e cila "duhet të miratohet përmes referendumit popullor" dhe mbështetet "në parimin e barazisë së plotë të të gjithë qytetarëve shqiptarë para ligjit." Kjo reformë përfshin ndryshime specifike: reformimin e Kodit Zgjedhor, reformimin e legjislacionit për financimin e partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile, dhe vendosjen e kufizimit të mandateve për postin e Kryeministrit "në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë karrierës së tij politike."
Koordinuesit kërkojnë edhe "korrigjime të menjëhershme ligjore" duke përfshirë shfuqizimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura (Ligji nr. 21/2024), shfuqizimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore, shfuqizimin e "Paketës së Maleve", si dhe shfuqizimin e kuadrit ligjor që rregullon Investimet Strategjike.
Letra përfundon me thirrjen për hartimin e një "kontrate të re shoqërore ndërmjet qytetarëve dhe shtetit," që do të zhvillohet "përmes konsultimeve të gjera me intelektualë të pavarur, ekspertë teknikë dhe përfaqësues jopartiakë të shoqërisë civile."
Grupi shprehet se kërkesat "përfaqësojnë shprehjen e qartë dhe legjitime të një populli sovran" dhe u bën thirrje ambasadave "të mbështesin një zgjidhje paqësore, demokratike dhe gjithëpërfshirëse" të krizës aktuale, duke besuar në angazhimin e tyre "për demokracinë dhe dinjitetin njerëzor" si vlera të përbashkëta evropiane.
Burim: Fjala
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.