Bukuritë vjeshtore të Lumit të Shalës tërheqin vëmendjen e kryeministrit
Pamjet e vjeshtës në Lumin e Shalës janë publikuar përmes një videoje nga kryeministri Edi Rama.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Sezoni i vjeshtës sjell një pamje të qetë dhe magjike në Lumin e Shalës, ku ujërat e kristalta blu ndërthuren me ngjyrat e kuqe, të arta dhe të verdha të pyjeve përreth, veçanërisht të blirit dhe gështenjave. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar një video nga ky destinacion, duke e shoqëruar me shprehjen: «Lumi i Shalës, një perlë e natyrës shqiptare, ku ujërat e kristalta, malet madhështore dhe bukuria e paprekur krijojnë një peizazh magjepsës».
Ky lumë buron rrëzë Alpeve, ka një gjatësi prej 37 km nga burimi në majën e Radohinës deri në Drin, dhe karakterizohet nga shkëmbinj të thepisur që duket sikur prekin qiellin dhe ujëra të ftohta me ngjyrë blu të thellë. Zona tërheq çdo vit vizitorë të huaj dhe vendas, të cilët e eksplorojnë atë përmes udhëtimeve me varkë, zhytjeve në ujërat e freskëta dhe ngjitjeve në majat përreth, ndërsa shijojnë edhe ushqimet tradicionale në bujtinat e ngritura aty pranë. Për më tepër, ky lumë është i pasur me lloje të ndryshme peshqish, ku më e përhapura është trofta që rritet në ujëra të ëmbla.