Britani: Pesë shqiptarë dënohen për një seri grabitjesh shtëpish
Pesë shtetas shqiptarë janë dënuar në Britaninë e Madhe si të përfshirë në vjedhjen e pronave dhe banesave.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Aktiviteti kriminal i njohur ndryshe përmes grupeve të skifterëve është zhvendosur në Britaninë e Madhe, pas shteteve të tjera evropiane si Greqia, Italia, Spanja dhe Franca. Gjatë javës, autoritetet në shtetin ishullor kanë dënuar pesë shqiptarë për përfshirje në grabitje banesash.
Sipas policisë së Kentit, Dionis Doku është dënuar me tre vite e dhjetë muaj burg. Hetuesit arritën të identifikonin 45-vjeçarin nga Sanxhaku i Krujës përmes ADN-së në një shishe spraj antibakterial që kishte përdorur për pastrimin e vendit të ngjarjes, ndërsa sendet e vjedhura nga nëntë prona arrijnë në vlerën e mbi gjysmë milioni paundësh. Ai u vu në pranga në një stacion autobusi nga patrullat e policisë. Ndërkohë, Policia Metropolitane e Londrës bëri të ditur se katër shqiptarë të tjerë u kapën pas një hetimi disa mujor për shënjestrimin e banesave të shtetasve aziatikë. Çlirim Ferizi dhe Oresti Saliaj morën një dënim prej pesë vitesh e gjashtë muajsh burgim, të zbuluar nga kamerat e sigurisë, qelizat telefonike dhe kartat e metrosë.
Në Gjykatën e Kurorës në Isleworth janë dënuar gjithashtu Dionis Hetaj, 35 vjeç, dhe Arben Cuka, 31 vjeç. Hetaj u kap mbi çatinë e një banese në Ealing më 19 janar 2026 pas sinjalizimit për vjedhje, ndërsa Cuka u arrestua më 4 mars. Të dy ata morën një total prej pesë vitesh burgim.