BDI akuzon qeverinë për vandalizimin e muraleve të UÇK-së në Çair
Partia kërkon nga Ministria e Punëve të Brendshme që të identifikojë urgjentisht autorët e aktit vandal.
SHKUP — Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim në Çair ka reaguar ashpër pas përdhosjes së muraleve që mbajnë figurat e Adem Jasharit, Komandant Telit dhe emblemës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ngjarja, e cila ka prekur simbolet e luftës së shqiptarëve, përkon me përvjetorin e rënies së Komandant Telit.
Sipas partisë, ky akt vandal përbën një provokim të rëndë dhe nuk mund të shihet i shkëputur nga klima e krijuar në vend. BDI vlerëson se një pushtet i nënshtruar politikisht ka krijuar një terren ku elementet radikale nacionaliste ndihen të inkurajuara për të provokuar shqiptarët.
Në këtë kontekst, partia ka kujtuar edhe zhvillimet e fundit institucionale, duke përfshirë rastin kur gjuha shqipe u hoq nga tabelat shtetërore në Tabanoc. BDI-Çair i ka bërë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme që të ndërhyjë urgjentisht për të identifikuar autorët dhe për t'i nxjerrë ata para përgjegjësisë.
Në fund të reagimit, subjekti politik thekson se Çairi ka respektuar dhe do të vazhdojë të respektojë çdo qytetar, por kërkon që të respektohet gjithashtu historia, gjuha, simbolet dhe dëshmorët e kombit.
Burim: Shenja
— Redaksia ZHURMA




