Basholli: Borxhet ndaj KPMM-së kanë arritur në 82.2 milionë euro
Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale ka raportuar në Kuvend për buxhetin dhe borxhet e ndërmarrjeve.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Borxhet e grumbulluara ndaj Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale kanë arritur në 82.2 milionë euro, ndërsa ndërmarrjet Trepça dhe Ferronikeli figurojnë si borxhlinjtë kryesorë. Këto shifra u bënë të ditura gjatë shqyrtimit të raportit vjetor financiar në Komisionin për Buxhet të Kuvendit të Kosovës.
Kryesuesi i Bordit të KPMM-së, Habib Basholli, bëri të ditur se buxheti përfundimtar i institucionit arriti në 1 milion e 589 mijë e 157.54 euro, ndërsa shpenzimet e përgjithshme ishin 1 milion e 391 mijë e 488.26 euro, duke shënuar një realizim prej 87.56 për qind të buxhetit të përgjithshëm. Sipas tij, ndryshimet buxhetore erdhën kryesisht si rezultat i vendimeve të Qeverisë për rritjen e koeficientit të pagave, ku institucionit iu ndanë mjete shtesë prej 26 mijë e 819.09 euro. Në mbledhje u diskutuan edhe gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, ndërsa zyrtarët e KPMM-së dhanë sqarime rreth trajtimit të të hyrave nga konfiskimi i garancioneve bankare dhe policave të sigurimit për kompanitë që nuk kanë përmbushur kushtet.