Berisha: Sot opozita jonë është ndër më të respektuarat në planet
Kryetari i Partisë Demokratike deklaroi se kishte tentativa për të likuiduar forcën opozitare, por sipas tij ajo ka dalë më e fortë nga sfidat.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh gjatë një mbledhjeje me kryetarët dhe sekretarët e degëve se kishte një përpjekje për të likuiduar opozitën dhe për të krijuar një alternativë tjetër politike në shërbim të kryeministrit Edi Rama dhe George Soros. Sipas tij, një grup synoi të dobësonte opozitën dhe të orientonte një protestë drejt shkatërrimit të saj. Berisha theksoi se formacioni i tij kaloi një kalvar të vështirë, duke u krahasuar me sfidat e kaluara që nga viti 1997, por arriti të ngrihej sërish.
Kreu i PD-së shtoi se forca e tij politike vendosi të bëhej pjesë e protestave pavarësisht sloganeve të përdorura nga pjesëmarrësit e tjerë. Ai deklaroi se pas të gjitha vështirësive dhe përpjekjeve për ta izoluar apo arkivuar, Partia Demokratike ka dëshmuar qëndresë të madhe. «Sot ne jemi nga opozitat më të respektuara në planet, më të forta, më të pamposhtura», u shpreh Berisha gjatë takimit me strukturat vendore.