Gazeta popullore shqiptare Abonohu falas →
Ne bëjmë zhurmë 📣
E Martë · 28 Korrik 2026 ● Lajmi i fundit
Lajm

AUV konfirmon rastet e lisë së dhenve në Ferizaj, Kaçanik, Shtërpcë e Viti

Rastet janë regjistruar në Ferizaj, Kaçanik, Shtërpcë e Viti; sëmundja s'prek njerëzit, por sjell humbje ekonomike për fermerët.

Redaksia ZHURMA + Ruaj
AUV konfirmon rastet e lisë së dhenve në Ferizaj, Kaçanik, Shtërpcë e Viti
FOTO · Foto: Protector of the sheep / Wikimedia Commons

PRISHTINË — Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka konfirmuar raste të lisë së dhenve dhe dhive (Sheep and Goat Pox) në katër komuna të Kosovës: Ferizaj, Kaçanik, Shtërpcë dhe Viti. Agjencia u ka bërë thirrje të gjithë fermerëve që mbajnë dele e dhi të rrisin vigjilencën dhe të zbatojnë me përpikëri masat e biosigurisë, pas rritjes së rrezikut për përhapje të mëtejshme të sëmundjes.

AUV u ka kërkuar fermerëve të mos i lëvizin delet dhe dhitë nga fermat pa autorizim të veterinerit zyrtar, të kufizojnë hyrjen e personave dhe automjeteve të paautorizuara, si dhe të shmangin kontaktin e kafshëve me tufat e fermave të tjera. Agjencia rekomandon edhe pastrimin e dezinfektimin e rregullt të objekteve dhe mjeteve të transportit.

Fermerët janë udhëzuar që, në rast se vërejnë shenja si temperaturë të lartë, puçrra ose plagë në lëkurë, gojë, hundë apo gjinj, rrjedhje nga sytë a hunda, mungesë oreksi apo ngordhje, të njoftojnë menjëherë veterinerin privat ose inspektorët e AUV-së. Agjencia thekson se kafshët e dyshuara nuk duhet të trajtohen apo lëvizen pa udhëzimet e autoriteteve veterinare.

Sipas AUV-së, lija e dhenve dhe dhive nuk transmetohet te njerëzit dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin publik, por ka karakter ekonomik dhe mund të shkaktojë humbje të konsiderueshme për fermerët dhe sektorin blegtoral në vend. “Bashkëpunimi i fermerëve është vendimtar për të parandaluar përhapjen e sëmundjes dhe për të mbrojtur tufat në të gjithë vendin,” thekson agjencia.

Burim: Gazeta Tema
— Redaksia ZHURMA

Të ngjashme

Kosovë →
● RADIO
104 kanale në zhurma.fm →