Arrestohen dy shqiptarë në Rimini për trafik droge dhe sekuestrohen 91 doza
Dy të rinj shqiptarë janë vënë në pranga në Itali pasi u kapën duke i shitur kokainë një personi.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Dy shtetas shqiptarë, respektivisht 24 dhe 27 vjeç, janë arrestuar në qytetin e Riminit në Itali, nën dyshimet për posedim dhe trafikim të lëndëve narkotike. Autoritetet bëjnë me dije se dy të rinjtë, të cilët ishin të papunë dhe të njohur më parë për forcat e rendit, u kapën në flagrancë nga karabinierët teksa ndodheshin në një automjet dhe po i shisnin një dozë kokaine një personi.
Pas ndalimit të tyre, efektivët ushtruan kontrolle në makinë dhe në banesat e dy të dyshuarve, ku u zbuluan 91 doza të tjera kokaine të paketuara dhe të gatshme për shitje, me një peshë totale prej më shumë se 50 gramësh. Gjatë këtij operacioni policor, përveç lëndës narkotike, u sekuestruan edhe një peshore precize që dyshohet se shërbente për ndarjen e drogës, si dhe 2,440 euro para të gatshme të përfituara nga aktiviteti i paligjshëm.