Aleksandar Janev: I forcojmë kapacitetet policore ndaj krimit kompjuterik
Drejtori i Byrosë për Siguri Publike theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër kërcënimeve digjitale dhe hibride.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev, mori pjesë në punëtorinë me temë “Hetime për krimin kompjuterik”, e cila u organizua dhe u realizua me mbështetje të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup. Në këtë ngjarje morën pjesë oficerë policorë nga shërbimet qendrore dhe rajonale në përbërje të Byrosë për Siguri Publike.
Janev u shpreh se në kushtet kur hapësira digjitale paraqet fushë të sfidave të reja të sigurisë, ndërsa krimi kompjuterik dhe kërcënimet hibride kërkojnë qasje hetimore të sofistikuara, përmirësimi i vazhdueshëm i njohurive, shkëmbimi i përvojave dhe shkëmbimi i informacionit në kohë janë thelbësore për një luftë efikase kundër krimit.
Ai nënvizoi se bashkëpunimi me Byronë Federale të Hetimeve (FBI) ndihmon në përmirësimin e kapaciteteve profesionale të policisë maqedonase, shkëmbimin e përvojave për metodat moderne hetimore, si dhe në forcimin e aftësitë për zbulimin dhe hetimin e krimit kompjuterik dhe sigurimin e provave digjitale nga platformat online.
Gjithashtu, drejtori Janev shprehu falënderim për Ambasadën e SHBA-së në Shkup, Departamentin Amerikan të Drejtësisë dhe programin ICITAP për mbështetjen e vazhdueshme dhe partneritetin. Ai theksoi se qëllimi është që mbështetja nga partnerët të shndërrohet në dije të qëndrueshme dhe kapacitete vetjake, ndërsa Ministria do të investojë me mjete buxhetore dhe burime njerëzore në modernizimin e forcave policore për ndërtimin e një sistemi sigurie rezistent.