Alban Hasani akuzon trajnerët e Kombëtareve për listat e moshave
Drejtori sportiv i Vllaznisë, Alban Hasani, ka reaguar ashpër ndaj trajnerëve të kombëtareve U17 dhe U19, Armanda Dama dhe Fatjon Tafaj.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Publikimi i listave të kombëtareve të moshave për ndeshjet kualifikuese të europianeve të grupmoshave U17 dhe U19 ka nxitur reagimin e drejtorit sportiv të Vllaznisë, Alban Hasani. Deri pak javë më parë, ai ka qenë përgjegjësi i akademisë së klubit kuqeblu, duke njohur nga afër situatën e të rinjve në futbollin shqiptar. Sipas tij, trajnerët Armanda Dama dhe Fatjon Tafaj nuk po grumbullojnë lojtarët që spikatin, duke përmendur rastin e Vllaznisë.
Në komentet e bëra publike, Hasani ka vënë në pikëpyetje mosgrumbullimin e lojtarëve nga ekipi kampion i grupmoshës U17. «Po si s’keni turp që talleni me djersën e sportistëve? Vllaznia kampion Shqipërie me 5 sportistë lojtarë të vitit. Shpuza portieri i vitit, Gjeka sulmuesi i vitit, Gjoni mbrojtësi i vitit, Marku golashënuesi më i mirë i kampionatit me 28 gola si dhe Sukaj e Kopliku», ka shkruar ai. Kritikat kanë vazhduar edhe për kombëtaren U19 dhe trajnerin Tafaj. «Me çfarë kompetencash nuk grumbullohet Uldedaj mor shoku mësues? Luan në Superligë, shënon gol, sportist i datëlindjes 2009», deklaroi drejtori i Vllaznisë në komentet e tij.