AKI akuzon Komunën e Tetovës për tentativë privatizimi të stacionit të zjarrfikësve
AKI paralelon me rastin e Monopolit dhe thotë se vlera e projektit tejkalon 10 milionë euro me dhënie të tokës publike.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
TETOVË — Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) në Tetovë ka akuzuar pushtetin komunal se po tenton të privatizojë stacionin e zjarrfikësve përmes një partneriteti publiko-privat. Këshilltarët e AKI-së në Këshillin Komunal po zhvillojnë një betejë për të penguar atë që e quajnë «vjedhjen më të madhe të pronës publike që Tetova ka parë ndonjëherë pas rastit të Monopolit».
Sipas reagimit të AKI-së, vlera e projektit tejkalon 10 milionë euro dhe përfshin dhënien e tokës publike si dhe shpenzime nga buxheti komunal. «Stacioni i zjarrfikësve tentohet të vidhet e të privatizohet, duke e maskuar këtë si partneritet publiko-privat. Më shumë se 10 milionë euro do të zhvaten përmes dhënies së tokës publike dhe zhvatjes së buxhetit komunal», thuhet nga AKI-ja.
Partia akuzon drejtuesit e Komunës se po trajtojnë pronën publike si interes privat. «Kjo pronë nuk është e tyre. Është e tetovarëve, e fëmijëve tanë dhe e brezave që vijnë. Çdo metër tokë publike që humbet sot është një mundësi më pak për të ardhmen e këtij qyteti», theksojnë ata.
AKI u ka bërë thirrje qytetarëve të mbështesin përpjekjet për mbrojtjen e pronës publike, duke e cilësuar si një betejë për dinjitetin e Tetovës dhe duke përsëritur thirrjen: «Ndal vjedhjes së pronave publike!».