Vizita e Bekim Jasharit në Çair, fokus te kampusi i ri
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka zhvilluar një takim me përfaqësuesin e familjes Jashari, ku u diskutua për arsimin dhe perspektivën kombëtare.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka mirëpritur në një takim vëllazëror Bekim Jasharin, përfaqësues i familjes Jashari. Gjatë këtij takimi, palët folën mbi zhvillimet e deritanishme, historinë e përbashkët si dhe të ardhmen e shqiptarëve.
Një vend qendror në bisedë mori projekti për ngritjen e kampusit të ri të Universitetit «Nënë Tereza» në Shkup. Sipas komunikatës, ky konsiderohet si investimi më i madh në fushën e arsimit të lartë në gjuhën shqipe brenda Maqedonisë së Veriut.
Duke e cilësuar bashkëbisedimin si nder dhe kënaqësi, kreu i komunës theksoi rëndësinë e këtij projekti arsimor e kulturor. «Ky projekt përfaqëson investimin më të madh në historinë e arsimit të lartë në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut dhe një dimension të ri për zhvillimin arsimor, kulturor dhe kombëtar», u shpreh ai, duke shtuar se dyert e komunës mbeten të hapura për këtë familje që përfaqëson simbolin e sakrificës.