296 shkelje nga “Safe City” në Ohër, Strugë, Kërçovë e Dibër
Sistemi i mbikqyrjes regjistroi qindra shkelje në trafik gjatë dy ditëve të para në katër rajone, ndërsa qytetarët presin ulje të aksidenteve.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Sistemi i mbikëqyrjes së trafikut ka regjistruar gjithsej 296 kundërvajtje gjatë dy ditëve të para të funksionimit në zonat e Ohrit, Strugës, Kërçovës dhe Dibrës. Sipas të dhënave të bëra publike, në secilën prej dy ditëve të para janë konstatuar nga 148 shkelje. Pjesa më e madhe e tyre lidhen me tejkalimin e shpejtësisë, mosrespektimin e dritës së kuqe të semaforit dhe drejtimin e automjeteve të paregjistruara. Për çdo rast të konstatuar është përgatitur dokumentacioni përkatës, ndërsa njoftimet u dërgohen pronarëve përmes postës elektronike dhe SMS-ve.
Qytetarët presin ulje të numrit të aksidenteve rrugore. Nga ana e autoriteteve policore u bëhet thirrje drejtuesve të automjeteve që të respektojnë rregullat dhe sinjalistikën në rrugë, me qëllim rritjen e sigurisë në trafik.