Shqipëria nderon 100-vjetorin e Konventës Konsullore
Dy qendra konsullore u hapën në Shkup e Bitolë për të mbrojtur interesat e shqiptarëve jashtë kufijve, sipas dokumenteve të arkivave shtetërore.
SHKUP — Njëqindvjetori i Konventës Konsullore ndërmjet shtetit shqiptar dhe Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve shërohet në vitin 2026 me një program shtetëror dhe shkencor që fton korifejtë e diplomacisë shqiptare në Shkup e Bitolë.
Konventa e vitit 1926 u nënshkrua kur Shqipëria, ende shtet i ri pas Luftës së Parë Botërore, vendosi të mos i braktisë shqiptarët që kishin mbetur jashtë kufijve të saj pas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër.
Hapja e konsullatave në Shkup e në Manastir nuk ishte akt burokratik, por deklaratë politike se shteti shqiptar nuk do të hiqte dorë nga përgjegjësia morale ndaj qendrave historike kombëtare. Shkupi ishte qendra politike e Vilajetit të Kosovës, ndërsa Manastiri qyteti ku Kongresi i Alfabetit kishte vulosur unitetin kulturor.
Arkivat e Shqipërisë, Italisë, Kroacisë dhe vendeve të tjera evropiane dëshmojnë punën e pandërprerë të diplomatëve shqiptarë në denoncimin e kolonizimit, mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve dhe kundërshtimin e projekteve të shpërnguljes së detyruar gjatë sundimit jugosllav.
Hamit Kokalari në Shkup mbrojti interesat shtetërore të Shqipërisë duke iu kundërvënë propagandave të kohës me studime shkencore dhe harta etnografike, ndërkohë Xhafer Belegu në Manastir kontriboi në shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit, duke dëshmuar se diplomacia shqiptare mund të ishte njëkohësisht kombëtare dhe universale.
Pas vitit 1944, tradita u ndërpre si pasojë e zhvillimeve politike në Jugosllavi, por u ringjall me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Maqedoninë e Veriut. Sot, ambasadori Denion Meidani vazhdon këtë mision duke mbështetur Marrëveshjen Kornizë të Ohrit dhe arsimin në gjuhën shqipe përmes Abetares mbarëkombëtare.
Në Kroaci, angazhimi i Basri Halitit si Konsull Nderi në Osijek dhe i Donikës Hoxhës si ambasadorë e forcon aleancën shqiptaro-kroate, ndërsa Ermini Lekaji kontribuon në bashkëpunimin institucional dhe kulturor mes dy vendeve, duke avancuar partneritetin euroatlantik në Ballkan.
Burim: Dielli
— Redaksia ZHURMA







