Si ka menaxhuar MPB buxhetin e vitit 2025?

Pse Zyra Kombëtare e Auditimit zbuloi pagesa të padrejta për policë të suspenduar dhe punonjës që nuk shkonin në punë?

Si ka menaxhuar MPB buxhetin e vitit 2025?
Foto: Wikimedia Commons

— Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare të Ministrisë së Punëve të Brendshme për vitin 2025. Raporti zbulon një sërë parregullsish serioze, ku mëtë e rëndësishmja është keqklasifikimi i mbi 10 milionë eurove shpenzime. Konkretisht, 10.065.651 euro janë regjistruar si investime kapitale, ndonëse në realitet ishin pagesa pagash dhe obligime të lidhura me to.

Auditi evidenton se MPB ka mbivlerësuar detyrimet kontingjente me 2,731,577 euro. Kjo ka ndodhur për shkak të regjistrimeve të pasakta dhe mos përditësimit të rasteve gjyqësore, gjë që sipas ZKA-së ka dëmtuar drejtpërdrejt besueshmërinë e pasqyrave financiare të institucionit.

Një pikë kritike e raportit lidhet me pagesat për kushte specifike të punës. Edhe pse Policia e Kosovës i kishte ndërprerë këto shtesa nga korriku i vitit 2025, 19 zyrtarë policorë të suspenduar vazhduan t'i merrnin ato. Vlera e këtyre pagesave arrin në 26,580 euro për persona që nuk ishin në detyrë dhe nuk përballeshin me rreziq.

Raporti zbulon gjithashtu se gjatë vitit 2025 janë paguar 119,999 euro për 19 punonjës të komunitetit serb të integruar në institucione, të cilët nuk kishin vijueshmëri në punë. Për katër prej tyre marrëdhënia e punës ishte ndërprerë, ndërsa 15 raste të tjera mbeteshin të pazgjidhura, por pagesat kanë vazhduar pa evidencë të prezencës.

Në aspektin e prokurimit publik, auditimi identifikoi pranimin e një automjeti me vlerë 89,900 euro që nuk i përmbushte specifikimet teknike të kontratës. ZKA vlerëson se kjo është pasojë e një verifikimi të pamjaftueshëm gjatë pranimit të mallit dhe një analize të paplotë të specifikimeve teknike.

Auditimi vë në dukje probleme të përsëritura me kompensimet e policëve të suspenduar. Në fund të vitit 2025, 58 policë vazhdonin të merrnin 50 për qind të pagës pas më shumë se gjashtë muaj suspendim, pasi udhëzimet administrative nuk e rregullojnë qartë situatën kur procedurat penale zgjasin më shumë se ky afat.

Lidhur me burimet njerëzore, raporti konstaton se 391 zyrtarë policorë ushtrojnë detyra në pozita që kërkojnë gradë më të larta sesa ajo që posedojnë, një rritje prej 50 rastesh krahasuar me vitin paraprak. ZKA ka adresuar 12 rekomandime për përmirësimin e kontrollit financiar, klasifikimin e shpenzimeve dhe sistemin e gradimit.

Burim: Ekonomia Online
— Redaksia ZHURMA

Si ju la ky artikull?

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.

Vazhdo në dhomën live

Të gjitha →
  1. Pse PZAP-i nuk ka vendosur ende për ankesat ndaj rezultateve zgjedhore?
  2. Pse LVV-ja nuk hyn në bisedime për formimin e institucioneve?
  3. Pse KRU 'Hidromorava' paralajmëron punime në Llovcë?
  4. Pse hesht Armend Zemaj për kërkesat për dorëheqjen e Abdixhikut?

Vazhdo leximin