Zjarret djegin 10,828 hektarë, eksperti kritikon mungesën e parandalimit
Inxhinieri i pyjeve Elvin Toromani: vatrat aktive, gushti me rritje të rasteve, institucionet fokusohen te shuarja.
Rreth 10,828 hektarë sipërfaqe pyjore janë djegur deri tani nga zjarret në Shqipëri, sipas inxhinierit të pyjeve Elvin Toromani. Ai tha se situata nuk është e qetë, pasi vatrat mbeten aktive dhe muaji gusht ka shënuar rritje të ndjeshme të rasteve, veçanërisht pas datës 16 gusht.
Toromani vuri në dukje se flakët kanë prekur edhe zona të mbrojtura, duke rrezikuar ekosisteme dhe habitate. Ai kritikoi qasjen institucionale, duke theksuar se strukturat përgjegjëse fokusohen te ndërhyrja pasi zjarri ka nisur, ndërsa parandalimi mbetet në plan të dytë.
“E vetmja gjë që bëhet është që i kushtohet vëmendje pjesës së ndërhyrjes së zjarrit, por jo asaj që është më e rëndësishme, parandalimit”, u shpreh ai. Sipas tij, dëmet përfshijnë habitatet, faunën e egër, cilësinë e tokës dhe burimet ujore.