Zjarri në magazinën e fishekzjarreve në Shkozet — lëndohen dy punëtorë
Shpërthimet bllokuan katër akse rrugore drejt Plepave dhe lanë pa energji elektrike gjysmën e qytetit të Durrësit.
DURRËS — Dy punëtorë kanë mbetur të lënduar si pasojë e një zjarri të madh që ka përfshirë një magazinë fishekzjarresh në zonën e Shkozetit në Durrës. Flakët, të cilat u përhapën me shpejtësi të madhe pas rënies së kabllove elektrikë, kanë shkaktuar shpërthime të njëpasnjëshme dhe kanë vënë në rrezik jetën e personave që ndodheshin brenda objektit.
Sipas informacioneve të para, dyshohet se temperaturat e larta kanë shkaktuar shkëputjen e dy kabllove të tensionit të lartë, të cilat kanë rënë mbi çatinë e magazinës. Kjo ka sjellë ndezjen e menjëhershme të lëndëve piroteknike, duke bërë që brenda pak minutash i gjithë objekti të mbulohej nga flakët e fuqishme.
Ngjarja ka krijuar një situatë jashtëzakonisht të rëndë në të gjithë qytetin, pasi ky zjarr i madh jashtë kontrollit në Shkozet ka bllokuar plotësisht qarkullimin në katër akse kryesore rrugore. Policia ka ndaluar lëvizjen në Unazën e Durrësit, mbikalimin e Shkozetit, segmentin "Martin Camaj" drejt Plepave dhe në rrugën Kavajë-Durrës, duke kërkuar rrugë alternative.
Përveç bllokimit të rrugëve, ky zjarr në Shkozet ndërpreu energjinë elektrike në rreth gjysmën e qytetit bregdetar. Forcat zjarrfikëse, ndonëse mbërritën shpejt në vendngjarje, e patën të pamundur ta merrnin nën kontroll situatën për shkak të eksplodimeve të vazhdueshme dhe rrezikut të përhapjes së flakëve drejt tre banesave afër.
Pas dy orësh, zjarri u përhap edhe në një magazinë tjetër, duke shkaktuar dhjetëra shpërthime të forta. Policia ka shoqëruar një person për të sqaruar rrethanat, ndërsa hetimet po vijojnë për të përcaktuar shkakun e plotë të zjarrit që alarmoi qytetin.
Burim: Shekulli
— Redaksia ZHURMA