35-vjeçari vret ish-vjehrrin dhe plagos ish-vjehrrën — merr peng ish-gruan
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Vidhisht, Roskovec; autori u largua me makinë
ROSKOVEC — Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e kësaj të premteje në fshatin Vidhisht, në Roskovec. Sipas Policisë, një 35-vjeçar dyshohet se ka vrarë me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, 58 vjeç, si dhe ka plagosur ish-vjehrrën, e cila ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Pas krimit, autori i dyshuar është larguar nga vendngjarja me automjet, së bashku me ish-bashkëshorten e tij të cilën e mori peng, duke marrë me vete edhe armën e gjahut. Policia ka ngritur pika kontrolli dhe po vijon kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e 35-vjeçarit, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, kanë ngritur pika kontrolli dhe janë vënë në ndjekje për kapjen e autorit të dyshuar. Vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se, pas ngjarjes, autori është larguar nga vendi i ngjarjes me automjet, së bashku me ish-bashkëshorten e tij, shtetasen R. P., duke marrë me vete edhe armën e gjahut.
Burim: Top Channel
— Redaksia ZHURMA