Vitia nënshkruan vendimin për 313 vende të reja për shkollim specialistik
Ministri i Shëndetësisë bën të ditur se ky është konkursi i katërt i hapur në më pak se katër vjet.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se ka nënshkruar vendimin për hapjen e konkursit për shkollim specialistik për 313 vende. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai ka theksuar se ky është konkursi i katërt për specializim që hapet në më pak se katër vjet.
Vitia ka theksuar se prioritet në këtë proces u është kushtuar lëmive deficitare dhe nevojave të institucioneve shëndetësore rajonale. Sipas tij, për herë të parë Ministria e Shëndetësisë do të financojë edhe 20 vende për Mjekësinë Familjare.
Një nga risitë e këtij konkursi është poentimi përmes sistemit digjital. «Kandidatët do t’i plotësojnë të dhënat në formë elektronike dhe sistemi do t’i përllogarisë pikët sipas kritereve të konkursit. Pas verifikimit nga Bordi, secili kandidat do të ketë qasje në pikët e veta», ka shkruar ministri.
Sipas paralajmërimeve, së shpejti do të shpallet edhe një konkurs tjetër për shkollim specialistik, i cili do t’u dedikohet nevojave të institucioneve shëndetësore private, me qëllim të rritjes së transparencës dhe krijimit të mundësive të reja për mjekët.