← Sport
Live · Sport · 07:41 · 10 Korrik 2026

Kush është 'Trajneri Momo' që udhëheq Marokun ndaj Francës?

Mohamed Ouahbi, ish-mësues i edukimit fizik në Bruksel, drejton 'Luanët e Atlasit' në çerekfinalen e Kupës së Botës 2026.

— Mohamed Ouahbi, i njohur si 'Trajneri Momo', është ish-mësuesi i edukimit fizik që sot drejton kombëtares së Marokut në çerekfinalen e Kupës së Botës 2026 kundër Francës. Karriera e tij është e jashtëzakonshme pasi 49-vjeçari nuk ka qenë futbollist profesionist, por kaloi gjysmën e jetës duke dhënë mësim fëmijëve nga mosha 6 deri në 12 vjeç në një shkollë në Bruksel.

Rruga e tij drejt elitës nisi në moshën 21-vjeçare te Maccabi Brussels, por hapi vendimtar erdhi në vitin 2003. Anderlechti i besoi drejtimin e ekipit U9 në akademinë Neerpede, ku Ouahbi kaloi plot 17 vite. Gjatë kësaj periudhe, ai u ngjit në hierarki dhe shërbeu si ndihmës i ekipit të parë, duke punuar ngushtë krah trajnerit shqiptar Besnik Hasi.

Nën udhëheqjen e tij në akademi u zhvilluan disa nga yjet aktualë të futbollit belg. Emra si Romelu Lukaku, Youri Tielemans, Jeremy Doku dhe Dodi Lukebakio janë produktë të punës së Ouahbit. Interesante është se ai stërviti në nivelet e të rinjve edhe Remco Evenepoelin, përpara se ky i fundit të bëhej një nga çiklistët më të mirë në botë.

Filozofia e tij bazohet në lidhjen e disiplinës sportive me arsimin. Ouahbi ka deklaruar se lojtarët që arrijnë te ekipi i parë janë zakonisht ata që kanë përfunduar shkollën e mesme, duke theksuar se futbolli modern kërkon një nivel të tillë mature dhe disipline që vetëm arsimi mund ta ndihmojë.

Kthesa e madhe erdhi në vitin 2022, kur Presidenti i Federatës Marokene, Fouzi Lekjaa, i besoi drejtimin e kombëtares U20. Pas një eksperience në Arabinë Saudite te Al-Fateh, Ouahbi ndërtoi një skuadër konkurruese që triumfoi në Kupën e Botës U20, duke mposhtur Argjentinën në finale, gjë që hapi rrugën për drejtimin e ekipit të parë.

Edhe pse emërimi i tij pas largimit të Walid Regraguit u priti me skepticizëm për shkak të mungesës së përvojës me të rriturit, rezultatet e kanë justifikuar. Maroku në këtë edicion është një nga skuadrat më të reja, me një moshë mesatare prej vetëm 26.4 vjeç, duke u bazuar në një kulturë të fortë respekti reciprok.

Tashmë, Ouahbi përballet me sfidën më të madhe të karrierës në çerekfinale. Me një skuadër të mbresëlënëse, ai synon të shkruajë një kapitull të ri historik për 'Luanët e Atlasit' duke sfiduar Francën, duke vërtetuar se pasioni dhe metoda e tij pedagogjike mund të triumfojnë në nivelet më të larta të sportit.

Burim: Shqiptarja
— Redaksia ZHURMA

Reklamë · nga shtëpia
ZhurmaStudio
Përmbajtje, rrjete sociale, ueb dhe AI — nga ekipi që bën këtë faqe.
Njihu me Studion →
Lidhje nga arkiva

Të ngjashme

sipas temës · #sport

Më të lexuarat sot

Top 10
Si ju la ky artikull?

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr për me e thanë mendimin.

Vure re një gabim në këtë artikull? Na shkruaj te zhurmapress@gmail.com — përgjigjemi brenda 72 orëve. · Standardet §6

Zbulo Zhurmën