Tërmeti i madh godet Shkupin
1 070 të vdekur, 3 000 të plagosur, shkallë 6.1
SHKUP — Më 26 korrik të vitit 1963, Shkupi u godit nga një termet i fuqishëm. Si pasojë ndërruan jetë 1 070 persona, u plagosën 3 000 persona tjerë, ndërsa shume objekte tjera u rrënuan. Tërmeti arriti shkallën 6.1 sipas shkallës së Rihterit, tërmet i cili la mbi 200 mijë qytetarë pa shtëpi.
Kjo tragjedi i preku shumë shtete tjera, për çka u solidarizuan me vendin tonë, duke dhuruar ndihma të mëdha për ringjalljen e qytetit. Edhe Kombet e Bashkuara ndërmorën aktivitete për të ndihmuar qytetin e shkatërruar. Më 23 shtator 1963, 35 shtete kërkuan nga Asambleja e Përgjithshme që në rendin e ditës të seancës të vendosë një pikë për marrjen e masave me rastin e tërmetit në Shkup.
Më vonë, më 27 shtator, Asambleja e Përgjithshme i dha përparësi aksionit ndërkombëtar për dhënien e ndihmës për Shkupin. Më 14 tetor, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi njëzëri Rezolutën për t’i ofruar ndihmë qeverisë jugosllave në rindërtimin e Shkupit, duke shprehur keqardhjen për fatkeqësinë e madhe.
Në debatin për dhënien e ndihmës për Shkupin, Asambleja e Përgjithshme dëgjoi prezantimin e përfaqësuesve nga mbi 20 vende nga të gjitha kontinentet. Ajo ditë mbeti në analet e Kombeve të Bashkuara si dita e Shkupit.
Burim: Portalb
— Redaksia ZHURMA