UBT përmbyll edicionin e 15-të të konferencës ndërkombëtare
Konferenca ndërkombëtare e UBT-së mblodhi mijëra pjesëmarrës nga e gjithë bota në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik në Lipjan.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Edicioni i 15-të i Konferencës Ndërkombëtare për Biznes, Teknologji dhe Inovacion ka përmbyllur punimet duke mbledhur akademikë, studiues, profesionistë dhe studentë nga dhjetëra vende të botës. Ngjarja është zhvilluar në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Lipjan, ku u trajtuan tema përmes më shumë se 24 konferencave të specializuara dhe ndërdisiplinare në fusha si inteligjenca artificiale, mjekësia, arkitektura, ekonomia, drejtësia dhe shëndeti publik.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka vlerësuar lart angazhimin e të gjithë pjesëmarrësve dhe partnerëve ndërkombëtarë gjatë ceremonisë përmbyllëse. «Përmbyllja e këtij edicioni është dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit ndërkombëtar dhe e përkushtimit tonë për të krijuar një mjedis ku dija, kërkimi shkencor dhe inovacioni shndërrohen në vlera konkrete për shoqërinë», u shpreh Rektori Hajrizi, duke shtuar se institucioni do të vazhdojë të investojë në ndërkombëtarizimin e arsimit.
Studiues nga Evropa, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Azia dhe rajoni i Ballkanit prezantuan rezultate kërkimore dhe analiza për sfidat bashkëkohore, ndërsa ngjarja shërbeu për lidhjen e kërkimit shkencor me nevojat e industrisë.