Vala e nxehtësisë godet Shqipërinë — 38 gradë sot, 40 brenda javës
Meteorologia Tanja Porja paralajmëron 10 ditë pa reshje, me vlera që synojnë 40 gradë Celsius brenda javës.
TIRANË — Meteorologia Tanja Porja tha se sot është dita e parë e një periudhe 10-ditore me temperatura shumë të larta. Në mesditë vlerat termike u rritën papritmas të paktën 4 gradë, ndërsa dje maksimumi ishte rreth 33 gradë; sot priten 38°C, tha ajo në emisionin “Dita Jonë”.
Vranësirat do të shfaqen vetëm gjatë orëve të pasditës, kryesisht në veri dhe në zonat lindore, ndërsa era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi mesatare. Sipas Porjes, gjatë gjithë periudhës 10-ditore priten vetëm temperatura të larta, me mundësi thuajse zero për reshje.
Nga nesër temperaturat do të vazhdojnë vetëm të rriten, tha Porja, ndërsa deri në mes të javës priten të arrijnë 40 gradë Celsius.
Burim: Report Tv
— Redaksia ZHURMA