Teatri Kombëtar i Kosovës shënon 80-vjetorin me investime mbi 7 milionë euro
Kryeministri Kurti dhe ministrja Bogujevci morën pjesë në përvjetorin e Teatrit Kombëtar, ku u njoftua për rinovimin e ndërtesës.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Teatri Kombëtar i Kosovës ka shënuar 80-vjetorin e themelimit në një ceremoni ku morën pjesë kryeministri Albin Kurti, ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, kryeshefja ekzekutive e Postës së Kosovës, Nora Rraci, si dhe drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Mehmeti. Historia e këtij institucioni nisi në Prizren në vitin 1946 dhe vazhdoi më pas në Prishtinë, duke u shndërruar në një shtyllë të artit skenik në vend.
Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e këtij institucioni për jetën kulturore dhe kujtoi sfidat e kaluara, veçanërisht gjatë viteve të ’90-ta kur artistët shqiptarë u përjashtuan nga institucionet. Ai bëri të ditur se aktualisht po investohen mbi shtatë milionë euro për rinovimin e ndërtesës. «Në Teatrin Kombëtar të Kosovës po investojmë mbi shtatë milionë euro. Me përfundimin e punimeve, synojmë t’i kthejmë institucionit një pamje të rinovuar dhe kushte shumë më të mira, duke ruajtur autenticitetin e tij», u shpreh Kurti.
Ministrja Saranda Bogujevci rikujtoi se rrugëtimi i teatrit nuk ka qenë i lehtë dhe vlerësoi kontributin e artistëve që e mbajtën gjallë traditën teatrore ndër vite. Me rastin e këtij përvjetori, Posta e Kosovës ka promovuar një pullë postare kushtuar Teatrit Kombëtar të Kosovës për të përjetësuar historinë dhe kontributin e tij në kulturë.