Aktgjykimi i plotë për ish-krerët e UÇK-së ende pa u publikuar
Bëhen gati një muaj nga shpallja e aktgjykimit dënues ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Bëhen fiks një muaj nga shpallja e aktgjykimit dënues ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit në Dhomat e Specializuara për Kosovën. Deri tash, për këtë vendim mund të lexohen vetëm 40 faqe, ku është i përmbledhur dënimi me 81 vjet burgim ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Trupi gjykues më 16 shtator shqiptoi aktgjykim dënues për akuzat për krime lufte, ku Hashim Thaçi e Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.
Sipas legjislacionit të Gjykatës Speciale, nuk ka afat të caktuar se kur duhet të publikohet vendimi i plotë, por kjo duhet të ndodhë «sa më shpejt që është e mundshme». Përgjigje në lidhje me këtë nuk kanë kthyer nga Dhomat e Specializuara për Kosovën.
Amer Aliaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare deklaroi se vendimi i plotë nuk duhet të vonohet dhe se i njëjti mund të publikohet brenda muajit të ardhshëm, duke u bazuar në praktikat e mëhershme në rastet e Sali Mustafës e Pjetër Shalës që kishin marrë nga 31 deri në 75 ditë. Ndërkaq, avokati Meshari Selimaj u shpreh se gjykata nuk duhet ta zvarritë vendimin dhe se duhet të kishte afat të caktuar, duke e krahasuar me kodin e procedurës penale të Kosovës që parasheh afate prej 15 ditësh për personat në paraburgim, 30 ditë për personat e tjerë në liri dhe maksimumi 60 ditë për çështje të ndërlikuara.