Tabaku: Ligji për Investimet Strategjike u ndryshua 9 herë
Deputetja e PD-së akuzojnë qeverinë për abuzim dhe korrupsion
TIRANË — Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka rindërtuar kronologjinë e Ligjit për Investimet Strategjike, nga miratimi i tij në vitin 2015 deri te zgjatjet e vazhdueshme dhe debatet e sotme për shfuqizimin e tij.
Tabaku kujtoi se ligji u prezantua fillimisht si një instrument i përkohshëm, që synonte të tërhiqte investitorë të huaj dhe të nxiste investime në sektorët strategjikë të ekonomisë. Por, sipas saj, pas një dekade zbatimi, ai është kthyer në një mekanizëm për shpërndarjen pa garë të aseteve dhe pronave publike te një grup i kufizuar përfituesish.
Deputetja demokrate deklaroi se ligji është ndryshuar nëntë herë, ndërsa gjashtë prej ndërhyrjeve kanë pasur si qëllim vetëm shtyrjen e afatit të tij. Ajo rikujtoi se, që në momentin e miratimit të ligjit në vitin 2015, kishte propozuar disa amendamente që synonin mbrojtjen e pronës private dhe ndalimin e ndërhyrjes së shtetit në marrëdhëniet ndërmjet dy pronarëve privatë.
Tabaku theksoi se ligji i ri i premtuar nuk u miratua, ndërsa afati i Ligjit për Investimet Strategjike vijoi të shtyhej. Para zgjedhjeve të vitit 2025, mazhoranca e zgjati zbatimin e tij deri më 31 dhjetor 2026. Ajo e lidhi këtë model edhe me ndryshimet në ligjin për portet turistike, të cilat, sipas saj, u krijojnë investitorëve strategjikë mundësinë të ndërtojnë dhe operojnë porte pa iu nënshtruar procedurave të zakonshme konkurruese.
Deputetja e PD -së u ndal edhe te nisma e saj e vitit 2022 për ndërprerjen e efekteve të ligjit. Ajo tha se propozimi u rrëzua me argumentin e përfaqësuesve të qeverisë se ligji kishte qenë i dobishëm dhe se po punohej për një kuadër të ri e të përhershëm për investimet.
Tabaku solli si shembull “Durrës Marinën”, duke e cilësuar atë një rast të mungesës së konkurrencës dhe të përdorimit të aseteve publike në favor të subjekteve të përzgjedhura nga qeveria. Sipas deputetes demokrate, një qeveri që e ka mbajtur në fuqi për më shumë se një dekadë një ligj të tillë nuk mund të jetë e besueshme kur premton shfuqizimin e tij apo një “besëlidhje të re” me qytetarët.
“Sa mund t’u besohet atyre që e kanë ngritur këtë sistem se do ta zhbëjnë atë? Sa mund t’u besohet atyre që plot gjashtë herë e kanë ndryshuar ligjin vetëm për t’i shtyrë afatin dhe asnjëherë për të përmirësuar konkurrencën, meritokracinë apo garën në ekonomi?”, deklaroi Tabaku.
Burim: Shqiptarja, https://shqiptarja.com/lajm/tabaku-analizon-10-vitet-e-ligjit-te-investimeve-strategjike-9-ndryshime-6-shtyrje-dhe-prona-pa-gare
— Redaksia ZHURMA