Spanca: Vrasja e Arlinda Zekajt kërkon reflektim dhe llogaridhënie institucionale
Auditorja e Përgjithshme thekson se ngjarja në Vitomiricë rikthej vëmendjen te mangësitë e konstatuara në trajtimin e rasteve të dhunës në familje.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, ka deklaruar se vrasja e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës nga ish-kunati i saj paraqet një thirrje urgjente për reflektim e llogaridhënie institucionale. Sipas saj, kjo ngjarje e rëndë rikthen vëmendjen te gjetjet e raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për periudhën 2020-2022, që kishte shfaqur shqetësime rreth efektivitetit të institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje.
Raporti i auditimit kishte evidentuar mangësi në koordinimin ndërinstitucional, procesin e hetimit, monitorimin e urdhrave mbrojtës, përfshirjen e mbrojtësve të viktimave, si dhe te regjistrimi i rasteve dhe mbështetja sociale e ekonomike. Krahas këtyre, u vunë re vonesa në trajtimin gjyqësor dhe mungesë programesh për trajtimin e kryerësve të dhunës, ndërsa Spanca ka theksuar se këto rekomandime nuk janë thjesht mangësi procedurale, por lidhen drejtpërdrejt me aftësinë e sistemit për të mbrojtur personat që kërkojnë ndihmë.
Ajo ka kërkuar zbatimin e menjëhershëm të rekomandimeve përmes vlerësimit profesional të rrezikut, bashkëpunimit ndërmjet Policisë, Prokurorisë, Gjykatave, Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave dhe Qendrave për Punë Sociale, si dhe sigurimit të mbështetjes së vazhdueshme dhe strehimit për viktimat.