Si janë ndryshuar ligjet për të hapur rrugë pazareve në Shqipëri?
Deputetja Erisa Xhixho pretendon se 'The Albanian Files' zbulon ndryshime ligjore me porosi për të favorizuar investitorë të caktuar. Çfarë tregon libri?
TIRANË — Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka deklaruar se libri “The Albanian Files” dëshmon mungesën e transparencës gjatë 13 viteve të qeverisjes në Shqipëri, duke zbuluar se si janë konceptuar projektet e zhvillimit.
Sipas Xhixhos, zhvillimi i vendit nuk është orientuar drejt interesit publik, por është ndërtuar mbi interesa të ngushta dhe pazare politike. Ajo pohon se skema ka funksionuar duke filluar me marrjen e pronës publike, ndryshimin e ligjeve dhe kalimin e pronave në favor të klientëve të pushtetit.
“Nëse është pronë private, pronari nxirret zvarrë nga prona e tij. Nëse është zonë e mbrojtur, ndryshohet ligji vetëm për t’i hapur rrugë pazareve të paracaktuara,” tha Xhixho. Ajo theksoi se shumë projekte janë hartuar vite përpara ndryshimeve ligjore për Zonat e Mbrojtura, duke sugjeruar se këto ndryshime nuk kanë qenë rastësi.
Xhixho ngriti alarm për korrupsionin shtetëror, duke deklaruar se ligjet nuk hartohen për qytetarët, por për një grusht njerëzish që ndajnë fitimet me pushtetin. Ajo parashtroi pyetje drejtuar Kryeministrit, Kuvendit, institucioneve shtetërore dhe organeve të drejtësisë, duke kërkuar llogaridhënie për mënyrën e përzgjedhjes së arkitektëve dhe investitorëve, bazën ligjore të projekteve dhe procedurat administrative.
“Këto pyetje duhet të japin llogari deri fund. Është koha për llogaridhënie dhe jo më për propagandë,” u shpreh deputetja. Libri “The Albanian Files” vjen si një dokumentim i pretenduar i kapjes së shtetit dhe mungesës së transparencës në vend.
Burim: ATSH
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.