← Kosovë
Live · Kosovë · 02:59 · 19 Korrik 2026

Kush është jashtë tregut të punës?

Raporti i zymtë i fuqisë punëtore tregon një pjesë të problemit të tregut të punës në Kosovë.

— Shkalla zyrtare e papunësisë prej 11 për qind e tregon vetëm një pjesë të problemit të tregut të punës në Kosovë. Shifra e rëndë e gjejmë diku tjetër: më shumë se gjysma e popullsisë në moshë pune është krejtësisht jashtë fuqisë punëtore. Sipas Anketës së Fuqisë Punëtore për tremujorin e dytë të vitit 2025, Kosova kishte 1 milion e 74 mijë e 704 persona të moshës 15 deri në 64 vjeç. Prej tyre, vetëm 526 mijë e 3 persona ishin ekonomikisht aktivë, ndërsa 548 mijë e 701 figuronin si joaktivë.

Në terma të thjeshtuar, për çdo 100 persona në moshë pune, vetëm rreth 44 ishin të punësuar, pak më shumë se pesë ishin të papunë dhe 51 ndodheshin jashtë tregut të punës. Pra, Kosova kishte 80 mijë e 587 persona më shumë jashtë fuqisë punëtore sesa të punësuar. Pabarazia gjinore del si çarja më e thellë e tregut të punës.

Kosova kishte pothuajse numër identik burrash dhe grash në moshë pune: 537 mijë e 274 burra dhe 537 mijë e 430 gra. Por, përkundër kësaj baraspeshe demografike, hendeku në punësim është kolosal. Punë kishin 323 mijë e 979 burra dhe vetëm 144 mijë e 135 gra. Me fjalë të tjera, burrat e punësuar ishin më shumë se dyfishi i grave, ndërsa gratë përbënin vetëm rreth 31 për qind të të gjithë të punësuarve.

Shkalla e punësimit te burrat arrinte në 60,3 për qind. Te gratë ishte vetëm 26,8 për qind. Hendeku prej 33,5 pikë përqindjeje nuk përfaqëson një dallim të zakonshëm statistikor, por dy realitete pothuajse të ndara ekonomike. Plot 68,8 për qind e grave të moshës punuese ishin joaktive. Te burrat, kjo normë ishte 33,3 për qind.

Edhe ndër gratë që kishin hyrë në fuqinë punëtore, gjasat për të mbetur pa punë ishin më të larta. Papunësia e grave arrinte në 14,1 për qind, kundrejt 9,5 për qind te burrat. Hendeku thellohej sidomos në grupmoshën 45 deri në 54 vjeç. Në këtë periudhë të jetës, kur përvoja profesionale do të duhej ta forconte pozitën në treg, punësimi ishte 67,7 për qind te burrat dhe vetëm 24,8 për qind te gratë.

E ardhmja e tregut të punës nuk duket më e ndritshme. Kosova kishte 89 mijë e 298 të rinj të moshës 15 deri në 24 vjeç që nuk ishin as të punësuar, as duke ndjekur shkollim apo trajnim. Pra, më shumë se një në çdo tre të rinj ndodhej jashtë punës dhe proceseve që do të mund ta përgatisnin për të hyrë në të.

Burim: Demokracia

— Redaksia ZHURMA

Reklamë · nga shtëpia
ZhurmaStudio
Përmbajtje, rrjete sociale, ueb dhe AI — nga ekipi që bën këtë faqe.
Njihu me Studion →
Lidhje nga arkiva

Të ngjashme

sipas temës · #kosove

Më të lexuarat sot

Top 10
Si ju la ky artikull?

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr për me e thanë mendimin.

Vure re një gabim në këtë artikull? Na shkruaj te zhurmapress@gmail.com — përgjigjemi brenda 72 orëve. · Standardet §6

Zbulo Zhurmën