Shtyhet nënshkrimi i kontratave të reja për mësimdhënësit në kryeqytet
Procesi i kontratave të reja për mësimdhënësit në Prishtinë shtyhet deri më 31 janar 2027 pas marrëveshjes me SBASHK-un.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
PRISHTINË — Komuna e Prishtinës ka iniciuar nënshkrimin e kontratave të reja për mësimdhënësit e nivelit parauniversitar që kanë marrëdhënie pune me afat të pacaktuar, me qëllim të unifikimit të dokumenteve që rregullojnë marrëdhënien e punës në këtë nivel. Ndryshimet janë kundërshtuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës për shkak të mungesës së negociatave paraprake dhe mungesës së një modeli unik për të gjithë vendin.
Drejtori i Arsimit në Prishtinë, Arianit Elshani, thotë se ndryshimet kanë të bëjnë me strukturën dhe referencat ligjore, ndërsa puna në terren nuk ndryshon. «Në aspekt përmbajtësor, më raport me punën e tyre në terren, ka ndryshime në çështjen e orëve, 40 orë në javë, ka të bëjë me strukturën, me përmbajtjen, me referencat ligjore», ka theksuar Elshani. Ai ka mohuar gjithashtu pretendimet se mësimdhënësit do të detyrohen të qëndrojnë tetë orë në ambientet e shkollës.
Njohësi i arsimit, Rinor Qehaja, thekson rëndësinë e bazës ligjore dhe të dialogut me komunitetin. Pas kundërshtimeve, sindika ka arritur pajtim me komunën e Prishtinës që marrëveshja të shtyhet deri më 31 janar të vitit të ardhshëm, për t'i dhënë kohë edhe komunave të tjera që të shqyrtojnë një kontratë të tillë.