Vazhdo leximin
⌕ ☆
Ekonomi

Shqipëria përmirëson përfshirjen financiare

OECD vlerëson zhvillimin e mikrofinancës me 3.76 pikë

Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 2 min lexim

TIRANË — Mikrofinanca shqiptare po zhvillohet gjithnjë e më tepër, ndërsa ky konsolidim dhe hartimi i një kuadri të ri strategjik kanë ndikuar në rritjen e mëtejshme të përfshirjes financiare të qytetarëve. Kështu shprehet OECD në një prej indekseve të saj më të fundit, ku e vlerëson Shqipërinë me 3.76 pikë për sa i takon përfshirjes financiare të qytetarëve nga 3.51 që ishte në vitin 2022, pavarësisht boshllëqeve të vazhdueshme në politikat që promovojnë përfshirjen financiare.

Shqipëria përmirëson përfshirjen financiare
Foto: Château de la Muette, Paris 20 March 2019 004 / Wikimedia Commons

Për të adresuar boshllëqet ekzistuese strukturore në njohuritë financiare, Banka e Shqipërisë miratoi Strategjinë Kombëtare për Edukimin dhe Përfshirjen Financiare 2024–2026 në janar 2024. Sipas Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, nismat ekzistuese nuk kanë shkallën për të mbushur depërtimin e ulët financiar të ekonomisë, me vetëm 46.1% të popullsisë së rritur që zotëron një llogari bankare në vitin 2025.

Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë gjithashtu disa nisma për të rritur ndërgjegjësimin financiar midis nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme dhe publikut, por shkalla e tyre mbetet e kufizuar. Aktorët privatë po ashtu ofrojnë trajnime për grupet e margjinalizuara. Pavarësisht këtyre përpjekjeve, aktivitetet mbeten kryesisht të pakoordinuara, duke rezultuar në një peizazh të fragmentuar të edukimit financiar në Shqipëri thekson OECD.

Megjithatë, bizneset e vogla në Shqipëri po fitojnë akses më të mirë në mikrofinancë, nga një kuadër i fortë ligjor dhe politika aktive që promovojnë zhvillimin e tij. Nismat e fundit të politikave janë ndërtuar për të modernizuar sektorin e mikrofinancës duke futur zgjidhje digjitale, përmirësuar efikasitetin operacional dhe zgjeruar shtrirjen e shërbimeve financiare.

Rregullorja nr. 29/2022, në përputhje me Direktivën e Shërbimeve të Pagesave të Bashkimit Evropian (PSD2), lehtëson identifikimin elektronik, bankingun e hapur dhe ndërveprimin midis ofruesve të shërbimeve financiare, duke hedhur kështu themelet për zgjidhje digjitale të mikrofinancës. Gjithashtu, duke u bazuar në kufijtë e normave të interesit për kreditë konsumatore, sektori ka vazhduar të zgjerohet, me kreditë e ofruara nga institucionet e mikrofinancës që arritën në 0.65% të PBB-së në vitin 2024, dyfishi i nivelit të vitit 2019 (0.37%).

Burim: Gazeta Tema

— Redaksia ZHURMA

Lexo edhe

Më shumë →
Facebook WhatsApp X
LIVE Bregu i Diellit 1 Prishtinë 25 kamera →
Pyet Zhurmën
Shërbime, enciklopedi dhe lajme