Sa tejkalon Shqipëria pragun e shpenzimeve të NATO-s?
Pse Uashingtoni kërkon më shumë përgjegjësi nga aleatët, ndërsa Shqipëria tejkalon standardin minimal të 2% të PBB-së?
TIRANË — Shqipëria rezulton ndër vendet që jo vetëm përmbushin, por tejkalojnë standardet e vendosura nga NATO në një kohë kur Uashingtoni po kërkon më shumë përgjegjësi nga aleatët për barrën e sigurisë kolektive. Mesazhi amerikan është i qartë: kontributi konkret do të jetë elementi përcaktues në raportet me aleatët.
Në një tabelë të publikuar gjatë intervistës së ambasadorit amerikan në NATO, Matthew Whitaker, në Fox News, Shqipëria figuron me 570.3 milionë dollarë shpenzime për mbrojtjen për periudhën 2014–2025. Whitaker nënvizoi se shumica e aleatëve po ofrojnë bazat, aksesin dhe mbështetjen ajrore që u është e nevojshme.
Për NATO-n treguesi kyç nuk është vlera absolute, por raporti i buxheteve me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB). Standardi minimal i aleancës është 2% e PBB-së, një objektiv që Shqipëria e ka kaluar. Sipas Aktit Normativ të Buxhetit 2026, shpenzimet totale për mbrojtjen arrijnë në 2.6% të PBB-së.
Edhe shpenzimet bazë të mbrojtjes, të njohura si “core defence”, janë fiksuar në 2.2%, duke qëndruar sërish mbi pragun minimal të aleancës. Ky investim pozicionon vendin si një aleat aktiv në strukturën e sigurisë euroatlantike, në një fazë të re të rishikimit strategjik të marrëdhënieve transatlantike.
Akti Normativ i Buxhetit 2026 parashikon gjithashtu forcim të mëtejshëm të kapaciteteve mbrojtëse të vendit. Plani përfshin shtimin e 300 efektivëve të rinj ushtarakë për të rritur kapacitetin operacional të forcave armatuara.
Përveç shtimit të efektivës, buxheti parashikon një rritje prej 10.3 miliardë lekësh në investime dhe operacione të mbrojtjes. Këto shifra reflektojnë vullnetin për të rritur peshën e Shqipërisë në arkitekturën e re të sigurisë në Evropë.
Këto të dhëna vijnë në një kohë kur administrata amerikane po zhvillon një rishikim të gjerë të pranisë së saj ushtarake në Evropë. Vlerësohet jo vetëm pozicionimi i trupave dhe bazave, por edhe niveli i bashkëpunimit strategjik me vendet aleate.
Burim: Top Channel
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.