Pse rrezikon mbyllje shkolla shqipe e Kosturnikut?
Ministria e Arsimit planifikon të mbyllë shkollat me pak nxënës — banorët protestojnë: 6-vjeçarët do të detyroheshin të udhëtojnë 8 km çdo ditë.
KOSTURNIK — Shkolla shqipe e fshatit Kosturnik, afër Kumanovës, rrezikon mbylljen për shkak të numrit të ulët të nxënësve. Sipas politikës së “optimizimit” të Ministrisë së Arsimit, shkollat me pak nxënës do të mbyllen dhe fëmijët do të transferohen në shkolla qendrore. Banorët kanë dalë hapur kundër vendimit.
Shkolla, e ndërtuar me vetëkontribut të banorëve, zhvillon mësim nga klasa e parë deri të pestën. Shkolla qendrore “Braqa Ribar” në Tabanoc mëson vetëm në gjuhën maqedonase — duke i detyruar nxënësit shqiptarë të udhëtojnë 8 kilometra gjer në Kumanovë për të mësuar shqip.
“Ne kemi dalë me mbrojtë shkollën tonë, sepse e kemi ndërtu me vetëkontribut,” thotë Qail Qaili, banor i vendbanimit. Prej vitit 2019, kur u hap objekti i ri, shkolla ka funksionuar pa ndërprerje — numri i nxënësve ka lëvizur rreth 20, sot janë 9, por banorët parashikojnë 15 vitin e ardhshëm.
Lindita Azemi, nënë e një vajze 6-vjeçare: “Për mua si nënë është problem që një vajzë si kjo 6-vjeçare të shkoj në klasë të parë në Kumanovë. Bëjmë thirrje — nuk do të ndalaemi me këto protesta.” Edhe Hajdin Azemi, baba i tre vajzave — njëra pret të hyjë në klasë të parë këtë vit — ndan po ato shqetësime.
“Ne nuk mundemi fëmijën 6-vjeçar ta lëmë të shkoj vetë në shkollë me autobus,” thotë Hajdini. Femi Xhaferi, ish-mësues i shkollës, e rëndoson: “Fëmija 6-vjeçar, si do të shkoj në qytet — ai ka rrezik gjatë udhëtimit, në komunikacion.” Si reagim kolektiv, banorët kanë nisur nënshkrimin e një peticioni kundër mbylljes.
Valdrin Qerimi e sheh rrezikun më gjerë: mbyllja e shkollës, thotë ai, do të nxisë “egzodusin e fshatit”. Ai vë re edhe kontradiktën qeveritare — shteti promovon jetën në fshat me subvencione, por mbyllja e shkollës i detyron banorët të ikin. Kosturnik numëron rreth 60 shtëpi dhe 200 banorë rezidentë.
Burim: Almakos
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.