Si do të mbrohet rinia shqiptare nga shërbimi ushtarak në Serbi?

Rikthimi i paralajmëruar i shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi ka nxitur kërkesa për moratorium dhe shërbim civil në Luginën e Preshevës.

Si do të mbrohet rinia shqiptare nga shërbimi ushtarak në Serbi?
Foto: Driton Rexhepi / Wikimedia Commons

BUJANOC — Thirrja e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak ka alarmuar komunitetin shqiptar në Luginën e Preshevës. Vendimi për të dërguar burrat nën 30 vjeç në kazerma po shihet si një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë dhe mbijetesën e të rinjve shqiptarë.

Në kushte anonimiteti, një qytetar shqiptar shprehu frikën se nuk guxon t'ia japë dy djemtë e tij shtetit serb për këtë qëllim. Pas lajmërimit të Vuçiqit, në mesin e familjeve është shtuar frika e madhe se të rinjtë do të heqin dorë dhe do të largohen përfundimisht nga vendlindja.

Kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, Driton Rexhepi, njoftoi kërkesën që kuvendet e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës të dalin me një qëndrim unik. Ai propozoi një platformë zyrtare të përbashkët për të ndaluar dërgimin e detyruar të të rinjve në kazermat e ushtrisë serbe.

Pika e parë e këtij propozimi kërkon një moratorium ose shtyrje të detyrimit ushtarak përmes dialogut politik të koordinuar me ndërkombëtarët. Kjo kërkesë bazohet në rrethanat specifike post-konfliktuale të rajonit, duke kërkuar që Beogradi zyrtar të pranojë specifika rajonale të garantuara në institucionet relevante.

Platforma gjithashtu synon shmangien e tërësishme të stërvitjes luftarake dhe qëndrimit në kazerma. Për zbatimin e saj, Rexhepi ka propozuar autorizimin e një delegacioni zyrtar, të përbërë nga të tria kuvendet dhe Këshilli Kombëtar Shqiptar, për të negociuar drejtpërdrejt me Ministrinë e Mbrojtjes në Beograd.

Për të rinjtë që shfrytëzojnë të drejtën kushtetuese për kundërshtim të ndërgjegjes, kërkohet që shërbimi civil të kryhet vetëm brenda komunave të tyre. Ky shërbim pa armë do të bëhej në Shtëpitë e Shëndetit, Ndërmarrjet Publike, Shërbimet e Zjarrfikësve ose Kryqin e Kuq lokal.

Sipas njoftimeve nga Qeveria serbe, ky shërbim ushtarak i shpejtë prej 75 ditësh pritet të nisë në mars të vitit të ardhshëm. Liderët shqiptarë të Luginës zotohen se do të flasin me një zë të vetëm dhe të fuqishëm për të mbrojtur rininë e tyre.

Burim: Koha.net
— Redaksia ZHURMA

Si ju la ky artikull?

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.

Vazhdo në dhomën live

Të gjitha →
  1. Tërmet me 3.6 ballë godet Bosnjën qendrore
  2. Pse u vra pesë persona në Gjermani?
  3. Çfarë do të thotë miratimi i rrjetit Natura 2000 për natyrën e Ulqinit?
  4. Një kosovar i moshuar vdes në plazhin e Ulqinit

Vazhdo leximin