Sean Combs lirohet më 24 janar 2028 — 3 muaj para afatit
Ndryshimi erdhi vetëm një javë pasi reperi u përfshi në një përleshje me një të burgosur në Fort Dix.
FORT DIX — Reperi amerikan Sean "Diddy" Combs, 56 vjeç, do të lirohet nga burgu federal Fort Dix më 24 janar 2028, disa muaj më herët sesa ishte paralajmëruar fillimisht. Data e lirimit të tij është shtyrë disa herë që nga viti i kaluar — nga 25 prilli 2028, në 15 prill, pastaj në 23 shkurt, e tani në 24 janar 2028, sipas regjistrave më të fundit të Byrosë Federale të Burgjeve.
Sipas raportimeve të TMZ-së, që citojnë disa burime, Combs sulmoi të burgosurin tjetër pas një fyerjeje verbale. Përplasja u bë fizike derisa rojet ndërhynë e i ndanë. Pas incidentit, Combs raportohet të jetë vendosur në izolim, megjithëse zëdhënësi i burgut Fort Dix refuzoi të konfirmojë nëse ngjarja kishte ndodhur.
Lirimi më i hershëm mundësohet nga ligji amerikan FIRST STEP Act, reformë e sistemit penitenciar e miratuar gjatë mandatit të Donald Trump, që u ka dhënë mijëra të dënuarve mundësinë e lirimit të parakohshëm.
Byroja Federale e Burgjeve nuk ka dhënë shpjegime për ndryshimet e shumta të datës. "Për arsye privatësie dhe sigurie, nuk komentojmë kushtet e qëndrimit të të burgosurve, planet për lirimin e tyre apo arsyet e ndryshimit të datave të lirimit," deklaroi byroja për Daily Mail. Edhe zëdhënësi i burgut Fort Dix u shpreh ngjashëm, duke thënë se nuk komentojnë nëse ndonjë i burgosur është subjekt hetimesh apo masash disiplinore.
Burim: Demokracia
— Redaksia ZHURMA