Rinis futbolli në Shqipëri me ndeshjet e Kupës së Shqipërisë
Aktivitetet zyrtare ndërpriten për shkak të ekipeve kombëtare dhe rikthehen në mesjavë me turin e dytë të Kupës.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Futbolli shqiptar ka ndërprerë aktivitetet zyrtare për shkak të angazhimit të ekipeve kombëtare, duke u dhënë mundësi skuadrave të rikuperojnë energjitë, të përmirësojnë gjendjen fizike të lojtarëve, të punojnë në aspektin taktik dhe të korrigjojnë gabimet e ndeshjeve të fundit. Megjithatë, kjo periudhë pushimi nuk do të jetë e njëjtë për të gjithë, pasi disa skuadra të Kategorisë së Parë dhe të Dytë, bashkë me Skënderbeun dhe Laçin nga Superiorja, do të rikthehen më herët në fushën e lojës për shkak të zhvillimit të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë.
Sipas kalendarit dhe shortit të përcaktuar, tetë ndeshjet e këtij raundi janë programuar të luhen të mërkurën, më 18 nëntor, në orën 13:00. Në këtë fazë spikat vëmendja te përballjet Pogradeci-Kukësi dhe Bylis-Besëlidhja, ku bëhet fjalë për katër skuadra me ambicie të mëdha në kampionat dhe me synim kryesor sigurimin e një vendi në elitën e futbollit shqiptar, ndërsa sfidat e tjera do të shërbejnë që skuadrat të sigurojnë kualifikimin dhe të vazhdojnë rrugëtimin në kompeticionin e dytë më të rëndësishëm.