Çfarë thotë raporti konfidencial i BE-së për SPAK-un?
Komisioni Europian vlerëson pavarësinë e Prokurorisë së Posaçme, por paralajmëron për tentativa të mëdha për diskreditim dhe trysni politike.
— Komisioni Europian vlerëson se SPAK vazhdon të dëshmojë kapacitete të forta dhe pavarësi në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta, pavarësisht raportimeve për përpjekjet e mediave dhe politikës për ta diskredituar apo për të ushtruar ndikim të papërshtatshëm mbi këtë institucion.
Sipas draft-raportit konfidencial të siguruar nga Report TV, në vitin 2025 SPAK ka hetuar 30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të nivelit të lartë. Në këtë grup përfshihen një zëvendëskryeministër, një ish-kryetar i Parlamentit, një ish-ministër dhe ish-anëtarë të Parlamentit, ku 18 prej tyre u referuan në gjykatë dhe 10 u dënuan përfundimisht.
Dokumenti nga Brukseli shënon një rritje të hetimeve të reja me 17.7 përqind dhe të rasteve të përfunduara me 12.2 përqind. Megjithatë, raporti vëren se sekuestrimet mbeten modeste, me një vlerë prej rreth 1.5 milion euro dhe konfiskime prej 100 mijë euro, duke theksuar nevojën për forcim të procedurave të konfiskimit.
Situata e sigurisë për magjistratët mbetet kritike, pasi tetë prej tyre janë vënë nën mbrojtje, duke përfshirë dy gjyqtarë dhe gjashtë prokurorë që kanë marrë kërcënime. Ky raport nënvizon kontrastin mes rezultateve gjyqësore dhe presioneve të jashtme që shoqërojnë procesin e drejtësisë në Shqipëri.
Burim: Shqiptarja
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.