RAMS Global merr zonën e lirë në Vlorë — menaxhim turk për 35 vjet
Qeveria i dha kompanisë turke të drejtën e shfrytëzimit të mbi 88 hektarëve për 35 vjet me të drejtë zgjatjeje deri në 99 vjet.
VLORË — Kompania ndërkombëtare "RAMS Global" është shpallur fituese e konkursit për Zonën e Lirë Ekonomike në Vlorë. Qeveria shqiptare tashmë i ka njohur kësaj shoqërie të drejtën për të marrë në pronësi dhe për të zhvilluar një sipërfaqe prej 885,557.6 metrash katrorë në qytetin bregdetar.
Në krye të këtij projekti qëndron Mehmet Faruk Bülbül, i cili ka marrë statusin e investitorit të veçantë. Në këtë hapësirë, e emërtuar si "VLORË TEDA/RAMS FREE ZONE", parashihet ndërtimi i një ekosistemi industrial dhe logjistik, i fokusuar në teknologjinë industriale, inteligjencën artificiale, automatizimin dhe energjinë e rinovueshme.
Kjo zonë e teknologjisë do të menaxhohet nga kompania turke për një periudhë 35-vjeçare, me mundësi zgjatjeje deri në 99 vjet. Ky hap vjen pasi më herët qeveria shpalli zonën teknologjike në Vlorë, ku investitori turk planifikon të shtrijë aktivitetin, duke u mbështetur në përvojën e tyre ndërkombëtare në Dubai, Kazakistan, Moskë dhe Turqi.
Përballë përpjekjeve të investitorëve izraelitë në këtë rajon, ky projekt përfaqëson një zgjerim të ndjeshëm të gjeopolitikës ekonomike turke në bregdetin shqiptar. Ky realitet po e rrit ndjeshëm peshën e Vlorës, sidomos pas paralajmërimit të investimeve të tjera të mëdha të planifikuara në zonat e Sazanit dhe Zvërnecit.
Burim: Të Sheshi
— Redaksia ZHURMA