Rama dhe ambasadorja e BE-së dalin sot në konferencë për media
Kryeministri dhe Sofia Moreira de Sousa mbajnë konferencë të përbashkët pas publikimit të progresraportit të Komisionit Europian.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
TIRANË — Kryeministri Edi Rama dhe ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, do të zhvillojnë një konferencë të përbashkët për mediat. Sipas njoftimit të Agjencisë për Media dhe Informim në Kryeministri, takimi me gazetarët është parashikuar të nisë në orën 11:30.
Ngjarja vjen një ditë pas publikimit të progresraportit, ku Komisioni Europian vlerësoi përparimin e vendit në rrugën drejt integrimit, por ngriti shqetësime lidhur me funksionimin e demokracisë dhe mungesën e kontrollit parlamentar ndaj qeverisë. Raporti vlerësoi me nota të mira punën e SPAK dhe organeve të drejtësisë, ndërsa shfaqi kritika për përpjekjet e politikanëve e zyrtarëve publikë për të ushtruar ndikim të papërshtatshëm mbi sistemin gjyqësor dhe sulmet personale ndaj magjistratëve. Institucioneve të drejtësisë u kërkohet plotësimi i vendeve vakante për të shmangur vonesat në gjykime, ndërsa paraburgimi mbetet masa kryesore shtrënguese gjatë hetimeve. Lidhur me protestat në kryeqytet, KE kërkoi nga të gjitha palët angazhim në dialog konstruktiv.