Qeveria lidh taksat dhe tarifat me objektivat klimatikë
Plani parashikon edhe krijimin e një Fondi Kombëtar për Klimën dhe përfshirjen e KLSH-së në monitorimin vjetor të shpenzimeve.
TIRANË — Shqipëria do të duhet të përshtatë taksat, subvencionet dhe tarifat e shërbimeve publike me objektivat klimatikë, sipas Planit Kombëtar të Përshtatjes, dokumentit të ri qeveritar për ndryshimet klimatike. Masa nuk paraqitet si taksë e re konkrete, por si një drejtim politikash që mund të ndikojë mënyrën si shteti mbledh të ardhura dhe shpërndan mbështetje publike.
Dokumenti e vendos mobilizimin e burimeve vendase si pjesë kryesore të strategjisë financiare. “Forcimi i kontributeve vendase është thelbësor për shfrytëzimin e fondeve ndërkombëtare dhe sigurimin e qëndrueshmërisë”, thuhet në plan, i cili lidh këtë me “përshtatjes së instrumenteve financiarë me objektivat klimatikë”, që përfshin “tatimet, taksat dhe subvencionet”.
Plani kërkon gjithashtu “rishikimin dhe korrigjimin të tarifave të shërbimeve”, që synon “të pasqyruar faktorët e jashtëm mjedisor” dhe “të krijuar një mjedis më me interes për investimet private” në infrastrukturën e lidhur me përshtatjen. Kjo e lidh drejtpërdrejt çmimin e shërbimeve publike me politikën klimatike.
Dokumenti parashikon krijimin e një instrumenti për “shqyrtimin e buxhetimit të gjelbër”, ku çdo zë i buxhetit kombëtar do të klasifikohet sipas rëndësisë për shpenzimet e përshtatjes, në tri kategori: e lartë, mesatare dhe e ulët. Parashikohet edhe një sistem etiketimi të buxhetit për klimën, për të gjurmuar shpenzimet, me Kontrollin e Lartë të Shtetit të përfshirë në monitorimin vjetor.
Qeveria synon gjithashtu krijimin e një Fondi Kombëtar për Klimën, që do të bashkonte burimet publike, ndërsa bashkitë parashikohet të mobilizojnë buxhetet e tyre për ndërhyrje të vogla vendore të përshtatjes. Plani kërkon monitorimin dhe shfrytëzimin e sukseseve për të demonstruar përdorim efikas të fondeve dhe për të tërhequr financim shtesë.
Masat ende nuk japin një faturë të drejtpërdrejtë për familjet apo bizneset, por tregojnë se zbatimi i planit klimatik do të kërkojë ndryshime në buxhetim, tarifa, subvencione dhe mënyrën si shteti i jep përparësi investimeve publike.
Burim: Shqiptarja
— Redaksia ZHURMA