Qeveria refuzon shfuqizimin e ligjit për Zonat e Mbrojtura
Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për të dhënë mendim kundër nismave të deputetëve për shfuqizimin e ndryshimeve ligjore.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për dhënie mendimi mbi projektligjet e paraqitura nga deputetët Redi Muçi i Lëvizjes Bashkë dhe Ina Zhupa nga Partia Demokratike. Këto nisma synonin shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin për Zonat e Mbrojtura, të cilat i hapën rrugë miratimit të projektit turistik të Zvërnecit, një investim i lidhur me Jared Kushner, grupin Kastrati dhe investitorë nga Katari.
Toka e parashikuar për këtë mega-resort ndodhet brenda peizazhit të mbrojtur natyror Vjosë-Nartë, zonë ku strehohen qindra specie të rralla dhe shpendë shtegtarë si flamingo, të cilët frymëzuan protestat qytetare që nisën në muajin maj. Megjithëse projekti aktualisht mbetet i ngrirë në pritje të vlerësimeve mjedisore dhe konsultimeve të premtuara nga kryeministri, qeveria argumenton se ndryshimet e propozuara krijojnë pasiguri juridike për projektet në vazhdim.
Në dokumentin e dërguar në Kuvend, qeveria thekson se propozimet nuk përmbajnë analizë të plotë të pasojave juridike, ekonomike e mjedisore dhe nuk përcaktojnë dispozita kalimtare për investimet ekzistuese, lejet e dhëna apo procedurat administrative në shqyrtim. Po ashtu, Këshilli i Ministrave i është referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi kërkesën për shpalljen antikushtetuese të ligjit, duke vlerësuar se argumentet e deputetëve nuk mjaftojnë për shfuqizimin e tij. Ndërkohë, në qershor Parlamenti Europian miratoi një rezolutë që i kërkonte qeverisë shqiptare shfuqizimin e ndryshimeve ligjore në fjalë.
Lexo edhe
Më shumë →Koleksione · të dhëna të verifikuara
Vazhdo me më të lexuarat sot
Përditësuar