Qeveria hap thirrjen për studentët ekselentë, 210 vende në administratë
Aplikimet për programin e ekselencës 2026 mbeten të hapura deri më 1 tetor, për 210 pozicione në 91 institucione publike.
Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, bëri të ditur hapjen e thirrjes për punësimin e studentëve ekselentë në administratën publike. Sipas njoftimit, janë shpallur gjithsej 210 vende të lira pune, të shpërndara në 91 institucione publike.
Pirdeni theksoi se aplikimet për programin e ekselencës 2026 janë tashmë të hapura dhe u bëri thirrje të interesuarve të njihen me kriteret për t'u përfshirë në këtë proces. Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve është 1 tetori 2026, ndërsa procedura kryhet përmes faqes zyrtare të Departamentit të Administratës Publike.
“210 pozicione pune në 91 institucione publike. Hapim sot aplikimet për programin e ekselencës 2026. Për të diplomuarit me rezultatet më të larta, ata që kanë shumë rrugë përpara, por që zgjedhin rrugën ku mund të lënë gjurmë. Nëse ke mesataren, ke energjinë, ke ide, sot ke dhe mundësinë”, u shpreh ministrja.
Ajo e cilësoi thirrjen si një mundësi për ndërtimin e karrierës brenda administratës, duke e lidhur me kontributin për Shqipërinë evropiane. “Kjo nuk është thjesht një thirrje për punë, është një mundësi për të ndërtuar karrierën tënde duke ndërtuar Shqipërinë evropiane”, tha Pirdeni.
Lajmi u shpërnda edhe nga kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetin social Facebook.